Në Kuvend pasdite vazhdoi debati për ribalansin e Buxhetit, i cili sillet për shkak të krizës së kovid-19 dhe nga miratimi i të cilit varet fillimi i realizimit të pakos së katërt të masave për përballje me pasojat nga kovid kriza në vlerë prej 470 milionë euro.
Në fund të mbledhjes së sotme të Kuvendit, kryetari Talat Xhaferi e caktoi vazhdimin e kësaj seance për nesër në ora 12:00.
Gjatë debatit, opozita ka dhënë vërejtje se shpenzimet janë historike në nivel më të lartë, realizimi i investimeve kapitale në nivel më të ulët, ndërsa paratë e parapara në tre pakot e masave ekonomike deri më tani nuk janë realizuar në tërësi, ndërsa deputetët nga shumica qeveritare qëndruan në mbrojtjen e ribalansit të propozuar dhe apeluan për mbështetjen e tij.
Zëvendësministri i Financave, Dimitar Kovaçevski në debatin theksoi se kjo është kriza më e madhe e cila ka ndodhur në një moment dhe ka bërë ulje të BPV-së të pjesës më të madhe nga të gjitha ekonomitë në botë dhe të gjitha shtetet i kanë rritur deficitet e tyre dhe borxhet publike.
Ai sqaroi se për shpenzimet nga buxheti ka dy grupe të mëdha të cilat projektohen në çdo buxhet dhe ato janë transfere ndaj fondeve pensionale, sociale dhe shëndetësisë, që, siç tha, nuk është ulur në ribalansin dhe do të paguhen edhe pensionet edhe të drejtat sociale dhe pagat, ndërsa për subvencionet potencoi se ato janë projektuar në nivel më të lartë dhe se bujqësia është sektor që tregoi rritje në këtë krizë prej 3,7 për qind.
Shpenzimet, theksoi Kovaçevski, janë rritur për 4,1 për qind që të mund të financohen pakot e masave dhe prej këtu rritja e deficitit dhe borxhi publik është nga nevoja që të financohen masat e parapara.
Debati për ribalansin, filloi dje, ndërsa në pajtim me Rregulloren mund të zgjasë të paktën pesë ditë. Pas sjelljes së tij do të fillojnë të realizohen masat nga pakoja e katërt të parapara për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor, ndërsa mbështetja arrin 470 milionë euro.
