Sonte në Televizionin 21 është përballja e fundit e kandidatëve për president. Kandidatët disa orë para fillimi të heshtjes zgjedhore do të kenë mundësinë e fundit për t’i bindur qytetarët për t’i votuar. Në programin e fushatës zgjedhore të kandidates për presidente Gordana Siljanovska – Davkova e mbështetur nga partia opozitare VMRO-DPMNE nuk ka pikë të veçantë që ju kushtohet shqiptarëve. Ajo tha se në programin e saj zgjedhor nuk bën dallime në baza etnike dhe programi i saj është i dedikuar për të gjithë qytetarët.
“Unë gjithmonë para çdo mbledhje e filloj më ” të gjithë qytetarët” dhe edhe në programin tim nuk kam pjesë për shqiptarët, për turqit, për romët dhe vllahët por nuk kam as për maqedonasit. Por them se ju drejtohem të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh çfarëdo përkatësisë etnike”, u shpreh Kandidatja për President, Gordana Siljanovska Davkova.
Ndërsa kandidati për president i përkrahur nga partitë në pushtet, Stevo Pendarvoski tha se nuk mund të flitet vetëm për qytetarët në përgjithësi pa marrë parasysh edhe përkatësinë e tyre etnike sepse këtë nuk e thotë as Kushtetuta e as Marrëveshja e Ohrit.
“Mendoj se duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe korpusit në bazë të përkatësisë etnike. Shqiptarët janë kategori kushtetuese dhe ato patjetër duhet të trajtohen në veçanti sepse kemi nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit dhe kemi një Kushtetutë e cila na obligon”, tha Stevo Pendarovski, Kandidat për President.
Edhe kandidati për president i mbështetur nga partitë në opozitë, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa tha se shqiptarët janë kategori kushtetuese e këtij vendi. Ai gjithashtu replikoi Gordana Siljanovskën kur foli për barazinë e të gjitha komuniteteve në vend, duke rreshtuar këtu personat me status të rrezikuar social dhe personat me nevoja të veçanta.
“Shqiptarët janë kategori etnike dhe nuk janë kategori me handikap, shqiptarët janë kombësi dhe nuk janë kategori e personave me nevoja të veçanta. Ju thatë që të kemi mbrojtje të gjere kushtetuese të të gjithë kategorive të qytetarëve por nuk mund të trajtohen shqiptarët në ndonjë kategori tjetër sepse kjo është diçka ndryshe”, deklaroi Kandidati për President, Blerim Reka.
Kandidatët gjithashtu folën edhe për atë se si do të veprojnë me ligjet e pa nënshkruara nga ana e presidentit të tanishëm Gjorge Ivanov, për zgjedhjen e presidentit nëpërmjet Kuvendit, për sundimin e të drejtës. Për këto e shumë çështje tjera, sonte në emisionin Click Plus ndiqni debatin e fundit presidencial me fillim në ora 21:00 në Televizionin 21.
Përgatiti: Valmira Zendeli
