Dhoma përfaqësuese e SHBA-së sot e ka vazhduar debatin për revokimin e presidentit Donald Tramp, për herë të dytë gjatë mandatit të tij.
Gjatë ditës duhet të votohet për miratimin e nenit lidhur me revokimin që e akuzon Trampin për nxitje të kryengritjes gjatë kohës së fjalimit që i ka paraprirë ndërhyrjes së demonstrantëve në Kongres.
Nëse me shumicë të thjeshtë prej 435 deputetësh kalojnë akuzat, procedura transferohet në Senat, Dhomën e Lartë të Kongresit e cila e aplikon gjykimin. Sipas Kushtetutës, nevojiten dy të tretat e senatorëve që të gjykohet dhe shkarkohet presidenti. Por, shumicë e thjeshtë mund të vendosë se nuk mund të kandidohet përsëri. Demokratët kanë shumicë në Dhomën përfaqësuese dhe pritet që propozimi të kalojë.
Dhoma përfaqësuese në Kongresin amerikan sot herët miratoi Rezolutë në të cilën thirret nënpresidenti i SHBA-së, Majk Pens të fillojë procedurë të paraparë sipas amendamentit 25 të Kushtetutës amerikane që presidenti Donald Tramp të shkarkohet nga funksioni.
Rezoluta është miratuar me 223 vota “për” dhe 205 “kundër”.
Teksti i Rezolutës për revokim të shefit të shtetit është dorëzuar të hënën. Ai akuzohet për nxitje të rebelimit lidhur me ndërhyrjen në Kapitoll Hill të ithtarëve të tij para një jave. Nëse aktakuza kalon nga shumica në Dhomën e Ulët, Trampi do të jetë presidenti i parë i SHBA-së i akuzuar dy herë.
