Davkova: Ushtria, forcë profesionale dhe e besueshme e NATO-s! Misajllovski paralajmëron paga më të larta dhe kushte më të mira

TË FUNDIT

Nga modernizimi i armatimit dhe pajisjeve ushtarake deri te përballja me kërcënimet kibernetike dhe ato hibride – Ushtria e Maqedonisë së Veriut synon të forcojë më tej kapacitetet e saj dhe rolin brenda NATO-s. Në Ditën e Ushtrisë, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova e vlerësoi atë si forcë profesionale, të besueshme dhe të ndërveprueshme me aleatët, ndërsa theksoi se siguria kërkon investime dhe përshtatje me sfidat e reja.

“Unë besoj fuqishëm se sa më e sigurt të jetë qëndrimi ynë mbrojtës, aq më thelbësor është kontributi ynë në sigurinë e përbashkët. Kjo është arsyeja pse forcimi i kapaciteteve tona është mënyra e duhur për të forcuar pozicionin tonë në aleancë si një anëtar serioz dhe i besueshëm, të cilit mund t’i besohet dhe të mbështetemi”, tha Gordana Siljanovska-Davkova, presidente.

Ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajlovski, tha se modernizimi i Ushtrisë po vijon sipas planit. Automjetet e blinduara JLTV dhe Stryker, sistemet e artilerisë Boran dhe shumica e sistemeve të mbrojtjes ajrore Mistral 3 janë dorëzuar, ndërsa dy helikopterët e parë të rinj priten deri në fund të vitit.

“Mbrojtja dhe Ushtria duhet të jenë më të forta, më të motivuara dhe më të pajisura çdo ditë, prandaj do të kemi një marrëveshje të re kolektive, por kjo zgjidhje do të jetë në favor të ushtarëve profesionistë mbi 45 vjeç dhe, nga kjo foltore, do të doja të njoftoja një rritje të pagave dhe kushte më të mira pune”, u shpreh Misajllovski.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Sashko Lafçiski, tha se viti i kaluar ishte i suksesshëm për Ushtrinë, e cila konfirmoi edhe një herë gatishmërinë operative dhe aftësinë për t’u përballur me sfidat moderne të sigurisë.

“Por siguria sot nuk përcaktohet vetëm në fushën e betejës; kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, dezinformimi, përpjekjet për të manipuluar opinionin publik dhe erozioni i besimit në institucione përbëjnë një sfidë serioze për stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë shoqërisë”, tha Llafçiski.

Në ceremoni u ndanë dekorata dhe mirënjohje për pjesëtarët dhe njësitë e Ushtrisë. Ushtria moderne nisi të ndërtohej në vitin 1992, ndërsa sot, si pjesë e NATO-s që nga viti 2020, është pjesë e sistemit të përbashkët të sigurisë së Aleancës.