Daçiqi për “non-paperin”: Është më i mirë se plani i Ahtisaarit

TË FUNDIT

Kryeparlamentari i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se “non-paperi” është më i mirë për serbët sesa plani i Ahtisaarit, pasi siguron autonomi për serbët në veri të Kosovës.

Mirëpo, ai ka thënë se ky dokument nuk është në nivelin e kërkesave dhe pritjeve të Beogradit.

“Por, kjo autonomi nuk është e përpunuar dhe se nuk dihet nëse përfundon me të drejtën e vetëvendosjes. E keqja në këtë dokument është se nënkupton edhe respektimin e integritetit territorial, por që është një propozim më i mirë krahasuar me disa nga ato të mëparshëm”, ka thënë Daçiq për “TV Pink”.

Ai ka folur edhe për miqësinë e shqiptarëve dhe kroatëve. Ka thënë se janë vëllezër të armëve.

“Për shumë vjet ka pasur një koalicion mes separatistëve kroatë dhe shqiptarë nga ish-Jugosllavia. Armët siguroheshin përmes atyre kanaleve”, ka thënë Daçiq, që ka shtuar se edhe shqiptarët kanë qenë në ushtrinë kroate, përfshirë Agim Çekun. “Nuk është asgjë e re. Ata janë vëllezër në armë. Ata ishin në çdo luftë, në Luftën e Parë Botërore, Luftën e Dytë Botërore. Ata ishin në anën e kundër të shumicës së njerëzimit, por nuk iu mor për të keq. Nuk iu mor për të keq edhe kur luftuan kundër Amerikës, Britanisë së Madhe e Francës”.

Daçiq ka shtuar se regjimi shqiptar dhe kroat ishte në shërbim të Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

TË NGJAJSHME