Daçiq: Prania e Trampit në takimin në Uashington do të jetë garanci për atë që do të nënshkruhet

TË FUNDIT

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daqiç, deklaroi se sot pritet të finalizohen negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës në Shtëpinë e Bardhë dhe se në nënshkrimin e “dokumentit ekonomik” do të marrë pjesë edhe vetë kreu i administratës amerikane, që do të jetë si garantues për atë që do të nënshkruhet.

“U spekulua se ai do të jetë nënpresidenti Majk Pens ose presidenti Donald Tramp … Nëse takimi është i suksesshëm, në nënshkrim sigurisht do të marrë pjesë edhe Trampi”, tha Daçiq sot në mëngjes për TV Prva.

Ai vlerëson se prania e Trampit do të jetë përparësi e madhe pasi në këtë mënyrë presidenti amerikan do të bëhet garantues i asaj që do të nënshkruhet.

“Prandaj do të jetë shumë e rëndësishme nëse do të marrë ose nuk do të marrë pjesë ai, nëse do të jetë pjesë e këtij tregimi ose jo”, tha Daçiq.

Ai theksoi se pala serbe dëshiron marrëveshje dhe kompromis por se nuk pranon ultimatum.