Çulev: Policia e gatshme të sigurojë kushte për zgjedhje korrekte, demokratike dhe të sigurta

TË FUNDIT

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Naqe Çulev sot ka thënë se policia është e gatshme për zbatimin e zgjedhjeve korrekte, të qeta dhe demokratike. Ai ka shtuar se vetë procesi i votimit do të jetë i sigurt dhe ka ftuar qytetarët të dalin dhe të japin votën e tyre për opsionin që konsiderojnë se duhet të fitojë.

“Këto zgjedhje janë specifike pasi zhvillohen në kushte të pandemisë, por edhe votimi do të zgjas tre ditë. Ministria do të duhet të sigurojë materialin votues tre ditë, ashtuqë detyrimet e MPB-së dhe ngarkesa mbi nëpunësit rritet. Në lidhje me pajisjen mbrojtëse gjithçka është siguruar, mjete materiale- teknike kemi, por patjetër të thuhet që fakti se zgjedhjet janë në periudhë verore, kjo do të jetë ngarkesë shtesë për nëpunësit policor, por jemi të gatshëm për zgjedhjet”, ka thënë Çulevi.

Sa u takon informacioneve të publikuara nëpër rrjete sociale për dukurinë e agjitimit ndaj nëpunësve policor për ndonjë opsion politik, Çulev ka thënë se në çdo takim me policët u thuhet se sjellje e tillë nuk tolerohet dhe është në kundërshtim me punën policore, por edhe aktet interne të MPB-së.

“Kemi informacione, raste janë regjistruar në Shkup dhe Kumanovë. Kundër atyre nëpunësve policor ndërmerren masa konkrete, pasi bëhet fjalë për shkelje më të rëndë të rregullave dhe me siguri do të sillen dënime rigoroze, apo vendime për shkarkim”, ka thënë Çulev.

Njëherësh ai ka theksuar në nevojën e pranisë më të madhe policore në disa pika të vlerësuara si rrezik i lartë, apo si vende të paraqitjes së agjitimit të palejuar politik.

Sipas tij, madje në çdo zonë, MPB kryen analizë të rrezikut lidhur me parregullsitë zgjedhore, ndërsa të dhënat derdhen në Shtabin republikan operativ të zgjedhjeve.

Ai edhe një herë ka apeluar deri te qytetarët të jenë të vetëdijshëm për nevojën respektimit te protokollit për mbrojtje dhe parandalim të përhapjes së koronavirusit, derisa kontrollet e përforcuara dhe masat represive si dhe gjobat e shqiptuara nuk mjaftojnë për përballje me epideminë./MIA