Çu Dongju: Partneritet i fortë për transformimin e sistemeve agro-ushqimore në Evropë, në Azinë Qendrore dhe më gjerë

TË FUNDIT

Nga data 2 deri më 4 nëntor 2020, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO) konvokoi sesionin e 32-të të Konferencës Rajonale për Evropën, të organizuar virtualisht nga Qeveria e Uzbekistanit, ndërsa anëtarët e FAO-s do të kenë mundësinë të thellojnë diskutimin se si të transformohen sistemet agro-ushqimore për t’i bërë ato më rezistente, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse – si në rajon edhe në nivel global.

Konferenca Rajonale e FAO-s për Evropën është e hapur për të gjithë anëtarët e FAO-s në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. Nga Lisbona në Vladivostok dhe nga Qarku i Arktikut e deri në Pamir në Azinë Qendrore, rajoni është i gjerë dhe i larmishëm, dhe sistemet e tij ushqimore ndryshojnë mjaft.

Edhe para pandemisë KOVID-19, qëndrueshmëria e sistemeve agro-ushqimore ishte tashmë një shqetësim në rajon, veçanërisht për shkak të rritjes së normave të obezitetit (rreth 23% e popullsisë në Evropë dhe 18% në Azinë Qendrore) dhe sëmundjeve bashkëshoqëruese jo-ngjitëse, si dhe rritjes së kequshqyerjes dhe mungesat e mikronutrientëve në disa vende.

Në Samitin e ardhshëm të KB-së të Sistemeve Ushqimore 2021, Konferenca do të përqendrohet në sistemet e qëndrueshme të ushqimit dhe ushqimin e shëndetshëm në Evropë dhe në Azinë Qendrore si një nga temat kryesore. Debati do të synojë të paraqesë statusin e të ushqyerit dhe qëndrueshmërinë e sistemeve ushqimore, të identifikojë ndërlidhjet, sfidat dhe mundësitë në rajon.

Efektet e pandemisë ushtrojnë shumë presion në situatën e përgjithshme ushqimore. Nuk ka mungesë të ushqimit, por rëniet ekonomike dhe humbjet e vendeve të punës kanë krijuar kufizime në rritje që njerëzit të kenë akses në ushqimin me vlera ushqyese dhe një dietë të shëndetshme.

Zinxhirët rajonalë të furnizimit me ushqim po funksionojnë mirë, kryesisht për shkak të angazhimit të fermerëve, të cilët kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të vazhduar prodhimin dhe vjeljen e produkteve ushqimore, pavarësisht masave pandemike dhe kufizuese. Në Evropë dhe në Azinë Qendrore, shumë ferma të vogla dhe fermerë familjarë kanë raportuar se kanë përdorur kursime personale për të mbuluar kostot e aktivitetit të tyre, në dëm të kushteve të jetesës për familjet e tyre. Ndërsa 85 për qind e tyre thanë se mbijetesa e tyre varej nga ndihma e vazhdueshme e qeverisë për të mbuluar shpenzimet aktuale.

Në këtë kontekst, politikat e duhura dhe partneritetet publiko-private janë të nevojshme për të adresuar nevojat e prodhuesve të ushqimit dhe për të përmirësuar qëndrueshmërinë e sistemeve agro-ushqimore. Çështjet e lidhura me të tilla si siguria ushqimore, ruajtja e biodiversitetit dhe inovacioni digjital do të jenë në krye të agjendës së Konferencës Rajonale.

Teknologjitë digjitale si imazhet satelitore, sensorët në distancë dhe aplikacionet mobile premtojnë ndryshim revolucionar për fermerët e vegjël dhe për konsumatorët. Ato mund të ndihmojnë në optimizimin e zinxhirëve ushqimorë, në rritjen e aksesit në treg, në uljen e humbjeve dhe shpërdorimit  të ushqimit, në përmirësimin e menaxhimit të ujit dhe të ndihmojnë në luftimin e insekteve dëmtuese dhe të sëmundjeve – këto janë vetëm disa nga përfitimet.

Por Evropa dhe Azia Qendrore nuk duhet të kufizojnë diskutimet e tyre në një perspektivë rajonale. Rajoni ka një njohuri dhe përvojë të pasur që është e paçmuar në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në të gjithë botën, dhe mbështetja financiare nga vendet evropiane ka qenë prej kohësh vendimtare në luftimin e urisë dhe varfërisë në vendet në zhvillim, Afrikë, Azi dhe në Amerikën Latine.

Para KOVID-19, pothuajse 690 milionë njerëz ishin të kequshqyer në nivelin global në vitin 2019. Vlerësimi i fundit i FAO sugjeron që pandemia mund të shtojë deri në 132 milionë njerëz të kequshqyer në të gjithë botën. Për më tepër, rreth 4.5 miliardë njerëz varen nga sistemet agro-ushqimore për ekzistencën e tyre, për të ushqyer veten dhe familjet e tyre.

Pandemia ka përforcuar rëndësinë që askush të mos përjashtohet – një parim kryesor i Agjendës 2030. Më shumë se kurrë, qeveritë, organizatat ndërkombëtare, sektori privat, shoqëria civile, akademia dhe partnerë të tjerë të rëndësishëm duhet të punojnë ngushtë së bashku për të kapërcyer sfidat që po vijnë.

Partneritetet e forta janë në zemër të iniciativave të FAO-s për të promovuar sisteme të qëndrueshme agro-ushqimore, me qëllimin përfundimtar për t’i dhënë fund urisë dhe varfërisë. Me një Strategji të re të Angazhimit të Sektorit Privat, FAO synon të punojë me sektorin privat për të mbështetur dhe rritur inovacionin, promovimin e investimeve, mobilizimin e ekspertizës shkencore, gjenerimin e të dhënave për të ndjekur Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm, bazuar në shkëmimin e resurseve, rrjetet , njohuritë dhe teknologjitë.

FAO gjithashtu punon ngushtë me parlamentarët në të gjithë botën si partnerë strategjikë për të përmirësuar kornizën ligjore, për të miratuar politika të përshtatshme dhe për alokimin e burimeve për të zbatuar këto politika në sektorët e ushqimit dhe të bujqësisë.

Para pandemisë, FAO nisi Iniciativën “Dorë për dore”, e cila synon të bashkojë vendet donatore dhe vendet pranuese për të përshpejtuar inovacionin, investimet, ndryshimet institucionale, transformimin bujqësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural bazuar në të dhëna dhe informacione. Iniciativa mbështetet në teknologjitë më të fundit, të tilla si Platforma Gjeohapësinore Hand-in-Hand Geospatial Platform, e cila ofron informacionin kryesor të vendimmarrjes dhe Laboratorin e të Dhënave për Inovacionin Statistikor, Data Lab, i cili ndërthur burime të të dhënave jokonvencionale, të dhënave sasiore, të dhëna të inteligjencës artificiale dhe shkencore për vendimmarrje dhe vlerësim të ndikimit. Tashmë 29 vende po marrin pjesë në këtë nismë dhe po aq po shprehin interes për t’u bashkuar në muajt e ardhshëm.

Në përgjigje të pandemisë, FAO ka zhvilluar Programin Gjithëpërfshirës të Reagimit dhe Rimëkëmbjes nga KOVID-19 për aktivitet në nivelet globale, rajonale dhe kombëtare. Programi është hartuar për të zbutur ndikimet e menjëhershme socio-ekonomike duke rritur qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemeve ushqimore dhe mjeteve të jetesës – në përputhje me qasjen e “ndërtimit për transformim” të Kombeve të Bashkuara dhe duke punuar ngushtë me partnerë të ndryshëm. Ne kemi nevojë për një ndryshim transformues në mënyrën se si të menaxhojmë biodiversitetin tonë, prodhimin dhe konsumin e ushqimit, si dhe marrëdhëniet tona me natyrën, nëse duam të rimëkëmbemi më shpejt nga pandemia KOVID-19 dhe të arrijmë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Më 5 nëntor, FAO do të nisë zyrtarisht Koalicionin e Ushqimit, një mekanizëm multi-partner, multi-sektorial për mobilizimin e burimeve, ekspertizës dhe inovacionit për të mbështetur Programin Gjithëpërfshirës të Reagimit dhe Rimëkëmbjes nga KOVID-19 dhe Iniciativë “Dorë për dore”. Duke promovuar dialogun dhe shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës midis vendeve dhe duke punuar drejt planeve të veprimit të përqendruara në zgjidhje, Koalicioni i Ushqimit do të zgjerojë partneritetet dhe përfaqësimin tonë. Unë jam i kënaqur të shoh që rreth 40 vende kanë shprehur tashmë interes për të qenë partnerë aktivë në Koalicionin e Ushqimit, i cili fillimisht u konceptua nga Italia dhe partnerë të tjerë kryesorë.

Gjatë vitit 2020, FAO është angazhuar që zinxhirët ushqimorë të mbesin aktivë, duke theksuar se kjo krizë mund të kapërcehet vetëm nëse vendet bashkëpunojnë dhe tregtojnë lirshëm. Shumë vende në këtë rajon padyshim që po bëjnë përpjekje për të përmirësuar politikat e tyre tregtare për produktet bujqësore dhe ne i inkurajojmë ata të vazhdojnë në këtë rrugë.

75 vjetori i FAO, të cilin e shënuam disa ditë më parë, është një moment historik që forcon angazhimin tonë për të siguruar akses në ushqimim me vlera ushqimore për të gjithë dhe për të eleminuar urinë njëherë e përgjithmonë. Sesioni i 32-të i Konferencës Rajonale të FAO-s për Evropën është një rast i rëndësishëm për të siguruar që ky angazhim të shëndrrohet në veprim.

Ide të reja, partneritete të forta dhe mënyra të reja për të punuar drejt qëllimeve tona të përbashkëta për një prodhim më të mirë, ushqim më të mirë, mjedis më të mirë dhe jetë më të mirë.

Çu Dongju, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara (FAO)