Ç’përfiton politika nga rikthimi i Musa Xhaferit?/ Bexheti: Për t’ia shpëtuar fytyrën, Ahmeti shkarkoi të gjithë ministrat

TË FUNDIT

Çfarë përfitimi ka skena politike shqiptare me rikthimin e Musa Xhaferit? Profesori universitar Nuri Bexheti, duke i parë trendet dhe sfidat e reja që i ka Maqedonia, thotë se do të kishte qenë më mirë që krahas Xhaferit të vinin edhe shumë të rinj, por shton se koha do ta tregojë nëse rikthimi i tij është mesazh i mirë apo i keq për të rinjtë që duan të përfshihen në parti.

Shiko, do të jem i hapur, Musa Xhaferi është njeri me eksperiencë në politikë, nuk është se nuk ka eksperiencë, është një ndër njerëzit me më eksperiencë politike, por duket të kujtojmë se në 2016-tën për të shpëtuar fytyrën e Musës, ta themi figurativisht, duhej të shkarkoheshin të gjithë ministrat shqiptarë. Ky është një realitet që ka ndodhur në atë kohë, pra u rrëzuan gjithë ministrat bashkë me të.”- deklaroi Nuri Bexheti, Profesor Universitar.

Opinionisti Arben Llalla nuk beson se Musa Xhaferi do të rikthehej në poste qeveritare, por mund të ketë vetëm post politik partiak.

“Nuk besoj, ajo është një ëndërr, Musa Xhaferi bën mirë të gëzojë pensionimin e tij, por mund të ngelet në figurë brenda sferës politike, brenda BDI-së, por jashtë BDI-së nuk do të jetë asnjëherë vendimmarrës. Çdo tentativë e tij mua më vjen keq të them që i kushtojnë shumë vëmendje figurës së Musa Xhaferit, kur dihet se është figurë e konsumuar tejmase, ka qenë rreth 10 vite zëvendëskryeministër dhe ka treguar paaftësinë e tij në fushën e poltikës. Duhet të them që nuk ka ndonjë kredibilitet në opinionin e gjerë shqiptar”- tha Arben Llalla, Opinionist.

Pas një heshtjeje 6 vjeçare, larg syrit të publikut, një nga figurat më të larta të BDI-së dhe ish-zëvendëskryeministër, Musa Xhaferi, u rikthye në skenë përmes të ashtuquajturit “grupi i zjarrit”, të cilët kritikojnë ministrat aktual integristë në Qeveri.