Çollaku: Pas nënshkrimit të MSA-së, Kosova ka qasje në programet e BE-së

TË FUNDIT

Kosova shumë shpejtë do të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në. Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka thënë se pavarësisht faktit se Kosova nuk është njohur nga pesë vende anëtare të BE-së, kjo nuk do të jetë pengesë për nënshkrimin e MSA-së.
Çollaku në një intervistë në emisionin Argument Plus të RTV21, ka thënë se, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit do të nënshkruhet mes Kosovës dhe BE-së, dhe ajo nuk do të ketë nevojë të ratifikohet veç e veç në shtetet anëtare të Unionit, siç ka ndodhur me vendet tjera të rajonit.
Kjo, sipas tij, nuk po bëhet vetëm për arsyen se pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën, por për faktin se BE pas Traktatit të Lisbonës, e ka mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe.
“Për Kosovën kjo është një lehtësi e madhe, pasi në rastin tjetër, nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të ishte i pamundur, duke pasur parasysh faktin se ajo do të duhej të kalonte duke u miratuar veç e veç në parlamentet e vendeve anëtare, edhe tek ato të pesë vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën”.
Ministri Çollaku ka thënë se, Kosova do të përfitojë shumë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, pasi vendit do t’i krijohet mundësia të ketë qasje në shumë programe të BE-së.
Duke folur për BE-në, ministri Çollaku ka thënë se Qeveria e Kosovës është optimiste se brenda këtij viti, ose gjatë vitit të ardhshëm do të ketë njohje nga ndonjëra për kësaj pesëshe të Unionit.