Nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Kështu sot informoi Komisioni rregullator për energjetikë. Vendimi është marrë pas konsultimeve midis tri kompanive më të mëdha në vend si furnizues të përgjithshëm EVN Home, Mepso dhe Elektrodistribuimi. Nga e hëna, amvisëritë me rrymë do të furnizohen nga furnizuesi i përgjithshëm EVN Home.
“Në kushte kur tregu i energjisë elektrike nga 1 janari është liberalizuar plotësisht, kur flitej se ai liberalizim do të thotë rritje shumë të madhe të çmimeve, për çka edhe në vitin 2015 ishte shtyrë, për shkak se filluan disa procedura kundër shtetit tonë në kuadër të shoqërisë energjetike, sot po tregohet se edhe përskaj liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, çmimi për amvisëritë mbetet i pandryshuar”, deklaroi kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski.
Kryetari i KRRE, Bislimovski tha se qytetarët gjithnjë e më shpesh e përdorin tarifën e lirë për energji elektrike. Kjo rezultoi edhe me uljen e faturave të energjisë elektrike për amvisëri për rreth 5% në vitin 2017 kur u vendos kjo masë e volitshme. Edhe sipas rregullave të reja, EVN ka për obligim ta mbajë periudhën kohore kur energjia elektrike është me tarifë të lirë për amvisëritë.
“Përdoruesit sidomos amvisëritë ku është e vendosur tarifa e lirë, ka rritje të përdorimit më të madh në periudhën kur vlen tarifa e lirë. Kjo në nivel vjetor, vlen rreth 11 milion euro. Krahasuar me çmimin e amvisërive të 2019-tës me 2017-tën, kur është vendosur tarifa e lirë, çmimi i amvisërive është zvogëluar për 5 përqind”, u shpreh Marko Bislimovski, kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Tregu i energjisë elektrike në vend është liberalizuar që nga 1 janari i 2019-s. Me të parashihet që furnizuesi universal i energjisë do të furnizojë rrymë për amvisëritë dhe kompanitë e vogla të cilat nuk kanë zgjedhur furnizues në tregun e hapur. Çmimet e rrymës do të caktohen një herë në vit nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.
Përgatiti: Valmira Zendeli
