Ç’mesazhe përcolli Stoltenbergu? Ruzhin: Mund të ndodhin sulme të kufizuara bërthamore në Ukrainë

TË FUNDIT

Konferenca e paparalajmëruar e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg mbrëmë befasoi shumë njerëz të cilët mundohen të lexojnë mes rreshtave se cili ishte mesazhi që deshi ta përcjellë ai. Atë që dëgjuam nga njeriu i parë i Aleancës është se nuk e njeh referendumin dhe aneksimin e katër rajoneve ukrainase dhe se nuk do të ndalet mbështetja ushtarake e NATO-s për Ukrainën. Ish-ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin, thotë se nuk përjashton mundësinë e përshkallëzimit të situatës. Shton se mund të ndodhin edhe sulme bërthamore, por sipas tij, do të bëhej fjalë për caqe të caktuara në territorin e Ukrainës.

“Sulme të kufizuara, për shembull bombardimi i një centrali bërthamor apo centraleve lokale. Nuk do të doja ta trembja popullsinë, por teorikisht, si hipotezë, disa intervenime lokale në kuptimin e armëve bërthamore disa kilometra larg edhe atë në territorin e Ukrainës. Kryestrategët janë të kujdesshëm dhe shpresojnë se kjo nuk do të ndodhë”, tha Nano Ruzhin, ish-ambasador në NATO.

Në fjalimin e tij, Stoltenbergu theksoi se me aneksimin dhe mobilizimin e pjesshëm ushtarak, si dhe me kërcënimet bërthamore të Presidentit të Rusisë Putin, është arritur deri te përshkallëzimi më i madh që nga fillimi i agresionit rus mbi Ukrainën. NATO-ja dhe vendet-anëtare do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën, duke përfshirë kthimin e territoreve të aneksuara, tha Stoltenbergu.

“Nëse pranohet aneksimi nga ana e Rusisë dhe kërcënimet bërthamore, atëherë pranojmë shantazhin bërthamor, pranojmë se me kërcënimin për përdorim të armëve bërthamore, fuqitë autoritare mund të arrijnë atë që duan, tha Jens Stoltenberg”, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Por, sa e brishtë është paqja bërthamore dhe a është në gjendje Presidenti Putin ta shtypë butonin e kuq? Shefi i Shtatmadhorisë së ARM-së, nënkoloneli Vasko Gjurçinovski, në emisionin “Klik Plus” në TV21, tha se kërcenim ka, sidomos pas deklaratës së Putinit – se nëse integriteti dhe sovraniteti i territori rus cenohet, atëherë Rusia është e gatshme të përdorë armë bërthamore.

“Në duart e një lideri autokrat që është i paparashikueshëm për kohërat e sotme, a do të ishte në gjendje ai, kur dhe si… Natyrisht, kërcënim, mundësi dhe rrezik ekziston. Por, megjithatë le të shpresojmë se arsyeja do të mbizotërojë, se çdo konflikt, luftë, dhe në rastin konkret zhvillimi i situatës në Ukrainë, në fund do të duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore”, tha Vasko Gjurçinovski, shef i shtatmadhorisl së ARM-së.

Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski dje zyrtarisht dorëzoi kërkesë për anëtarësimin e vendit në NATO. Për këtë, Stoltenbergu tha se çdo vend në Evropë ka të drejtë të aplikojë, por i iku përgjigjes – nëse ka mundësi që Ukraina së shpejti të bëhet pjesë e Aleancës.