“Click Plus” për dushin e ftohtë nga Brukseli, kush është fajtor – Makroni apo Qeveria?

TË FUNDIT

 

Dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme kërkoi e gjithë opozita në vend. Përveç konferencave për shtyp gjatë ditës së djeshme, disa nga këto parti, kërkesat e tyre i përsëritën edhe në emisionin “Klik Plus”, i cili iu kushtua dushit të ftohtë që na dha dje Brukseli. Antonio Milloshoski, u bëri thirrje Zaevit, Dimitrovit dhe Osmanit që të tërhiqen për arsye morale dhe politike.

 
“Pasi është sjellë një vendim i tillë i madh politik, siç është ai nga Brukseli për mosmarrjen e datës, të cilën vjet Bujar Osmani, Nikolla Dimitrov dhe Zoran Zaev e festuan në aeroplan, duhet të shpallin zgjedhje, kurse ata, për arsye morale dhe politike të japin dorëheqje dhe të marrim përgjegjësi”, tha deputeti i VMRO-së Antonio Milloshoski.

Sipas sekretarit gjeneral të Aleancës për Shqiptarët, për mosmarrjen e datës nuk duhet të fajësohet Makroni dhe Franca. Siç thotë Taravari, duhet të shohim pak në oborrin tonë dhe të analizojmë çka kemi bërë gjatë periudhës së kaluar.

“Ambasadori i Francës, nëse e mbani mend, gjatë vitit të fundit ishte shumë aktiv dhe na i tregonte këto gjëra me të cilat sot ballafaqohet Qeveria aktuale. Nëse e lexoni Raportin për përparimin e Maqedonisë së Veriut, edhe nga viti i kaluar, edhe nga ky vit, në të janë cekur të gjitha vërejtjet për të cilat Qeveria nuk ndërmori asnjë hap. Më tregoni së paku një reformë, në cilindo segment të shoqërisë, ja për shembull sa i takon qeverisë VMRO-BDI? Absolutisht, nuk lëvizemi nga vendi, përveç Marrëveshjes së Prespës, asgjë tjetër”, pohoi Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët.

Por, Ismet Ramadani nga Këshilli Euroatlantik, nuk u pajtua me Taravarin dhe Milloshoskin. Siç thotë ai, Maqedonia nuk ka marrë datë për start të negociatave, vetëm sepse Makroni ka vënë veto. Ramadani konsideron se ka dallim të madh nga viti 2008 dhe Samiti i NATO-s në Bukuresht dhe tani, sepse, tash shumica e liderëve evropianë janë rreshtuar në anën e Maqedonisë.

“Rrallëherë kam qenë dëshmitar i një mbështetjeje të tillë nga liderët e BE-së, si individë, siç është rasti tani kurse kam 30 vjet përvojë në politikë. Konsideroj se kemi bërë edhe më shumë miq, sepse nga askush nuk dëgjova se nuk i kemi plotësuar kushtet”, veçoi këshilltari Ismet Ramadani.  

Sa herë të shtyhet fillimi i bisedimeve të Maqedonisë me BE-në, pozicionet do të jenë më të rrezikshme.

“Në përgjithësi, çfarë nënkuptojnë interesat e Republikës së Serbisë sa i takon çështjes së Kosovës dhe partneriteti i tyre strategjik me Francën? Nuk e lavdëroj pa nevojë, por e theksoj seriozisht si një element kyç për marrjen e vendimit të Makronit dhe për atë që ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit”, deklaroi Petar Bogoevski nga “Reformatorët” e VMRO-DPMNE-së. 

Pothuajse të gjithë bashkëbiseduesit ishin unanim se politika jonë e jashtme, duhej të ishte më aktive disa muaj para Samitit të liderëve evropianë.