Në ndryshimet kadrovike të kabinetit qeveritar ose në fshesën të cilën e paralajmëroi kryeministri Zaev, jozyrtarisht përmenden se do të përfshihen edhe funksionar të BDI-së. Por Tahir Hani nga kjo parti në emisionin Click Plus tha se BDI që nga themelimi i saj ka udhëhequr politike autonome dhe se në asnjë moment nuk ka lejuar pozicionin e imponimit nga subjektet tjera.
“Nëse flasim për reforma apo rikonstruim të qeverisë në gjitha proceset politike kemi rikonstruime të qeverisë. A janë ato në masë të vogla apo të mëdha, por ka rikonstruime. Por nëse flasim për ndërhyrjen e një subjekti politik në një subjekt tjetër politik, BDI që nga themelimi i saj ka udhëhequr politike autonome dhe në asnjë momente nuk ka lejuar pozicionin e imponimet nga subjektet tjera”, u shpreh Tahir Hani nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Shenasi Xheladini nga Lëvizja Besa tha se paralajmërimi i Zaevit për fshesën minimizon peshën e partnerëve të tij të koalicionit.
“Deklarata e Zaevit për pastrim apo siç e thotë fshesa, e minimizon peshën e partnerëve të tij të koalicionit”, tha Shenasi Xheladini nga Lëvizja Besa.
Ndërsa Arben Labënishti nga Alternativa tha se nëse kryeministri ka identifikuar ngecje të punëve programore, është e drejtë e tij të bëj rikonstruim të qeverisë.
“Është e drejtë e Kryeministrit kur identifikon pamjaftueshmëri apo ngecje të punëve programore të ministrive. Në këto momente është e drejtë e tij, të kërkon rikonstruim të qeverisë. Ndërkohë partitë të cilat e përbëjnë koalicionin qeverisës kanë të drejtën të sjellin argumente për punët e ministrive të cilat ata drejtojnë”, theksoi Arben Llabënishti nga Alternativa.
Ndryshe dje zëvendëskryeministri Bujar Osmani, tha se javën e ardhshme pritet të ketë takim mes Zaevit dhe Ahmetit, për të diskutuar zhvillimet aktuale politike.
