Thithja e monoksidit të karbonit i shkaktuar nga tymi mund të shkaktojë vdekje. Qytetarët shpeshherë afrohen të ndihmojnë dhe ta shpëtojnë pasurinë, por kjo mund të ketë pasoja fatale thotë Kostadin Popovski, zjarrfikës i pensionuar.
“Qytetari mund të ndihmojë vetëm në fazën e parë të zjarrit kur nuk ka temperaturë të lartë dhe kur nuk ka përqendrim të madh të tymit. Kjo për të qenë në rregull duhet që dikush t’i koordinojë dhe organizojë. I lus të gjithë qytetarët e dimë se është pozitive të ndihmohet por duhet të jenë të kujdesshëm se në çfarë mënyre afrohen”, deklaroi Popovski.
Ai thotë se sot pajisjet e zjarrfikësve janë në gjendje të mjerueshme.
“Nëse dje do të na kishte ndodhur zjarri i madh në Ohis, nëse kishte ardhur deri të djegia e lindanit, si do të kishim reaguar? Me çfarë do të kishim reaguar? A kemi pajisje? A kemi mjete për mbrojtje të zjarrfikësve? Shumë jemi pas sikur të jemi në vitetet e 60-ta. Në këtë nivel jemi fatkeqësisht”, sqaron ai.
Popovski ka vite që ka hapur qendrën për trajnim të zjarrfikësve në Manastir. Thotë se posedon pajisje më të sofistikuar që ka marrë si donacion nga vendet evropiane, por nuk ka asnjë mbështetje nga institucionet shtetërore.
“Që nga krijimi i qendrës ne nuk kemi asnjë mbështetje nga institucionet shtetërore. Gjithçka çfarë është bërë është falë organizatave të jashtme. Kemi bashkëpunim me një organizatë nga Franca është e specializuar për zjarre në pyje. Ne kemi pajisje më të sofistikuar por askush nuk dëshiron ta hap telefonin që t’i shfrytëzojë për të shuar zjarret”, shton Popovski.
Ndryshe sindikata e pavarur e zjarrfikësve pranë Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë bën të ditur se çdo ditë marrin njoftime për shkelje të të drejtave të marrëdhënies së punës në kushte kur zjarrfikësit luftojnë me shuarjen e zjarreve në shtet. Në kumtesën drejtuar mediave, si shembull theksojnë Komunën e Rankovcit, ku ende nuk ka turn të tretë të zjarrfikësve, e për pasojë disa zjarrfikës duhet të punojnë edhe nga 40-të orë pa ndërprerë. Situata të ngjashme ndodhin edhe në vende tjera nëpër shtet, shkruhet në komunikatë.
