Çfarë solli Samiti për Ballkanin Perëndimor? Dimitrov: E vështirë që bullgarët t’i quajmë miq

TË FUNDIT

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, në një intervistë për BBC ka vlerësuar se në Samitin për Ballkanin Perëndimor është dërguar porosi se ekziston ardhmëri evropiane për rajonin tonë, por sa u përket raporteve me Bullgarinë, vlerëson se ata nuk mund të quhen miq tanë.

 “Për herë të parë pas disa viteve, BE arriti konsensus që të konfirmojë përkushtimin ndaj zgjerimit. Në samitet paraprake, në Zagreb dhe Sofje, është folur vetëm për perspektivën evropiane. Në atë kuptim, tani së paku kemi sinjal politik, por ajo që do të jetë e nevojshme që të kthehet besimi te njerëzit përveç fjalëve të mira, është aksioni. Nuk është miqësore që të bllokohet diçka që është aq e rëndësishme për njerëzit në Maqedoninë e Veriut – ardhmëria jonë evropiane. Me të vërtetë është vështirë që në ndonjë mënyrë të vazhdoni t’i quani miq”, tha Nikolla Dimitrov – zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Nënkryetari i opozitares VMRO-DPMNE, Aleksandar Nikollovski, nuk pret se së shpejti do të fillojmë bisedimet. Dhjetori është mision i pamundur për ne, thotë ai.

 “Në muajin nëntor ka zgjedhje parlamentare dhe presidenciale në Bullgari pas çka përsëri nuk dihet nëse do të formohet qeveria dhe, nëse formohet, se a do të arrijë deri në dhjetor, dhe nëse çështja e parë për të do të jetë Maqedonia. E treta, atë që e dëgjojmë jo vetëm nga Rumen Radevi por edhe nga një numër i konsiderueshëm prej kandidatëve për President të Bullgarisë, Bullgaria mbetet në pozitat e saj të cilat për ne janë të papranueshme dhe mendoj se asnjë pushtet nuk duhet të jetë optimist për shkak se kjo për ne është nënçmim”, potencoi Aleksandar Nikollovski – nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Njeriu i parë i Eurothink-ut, Dimitar Nikollovski, thotë se BE-ja duhet të jetë më e sinqertë në qëllimet e saj për zgjerim.

 “Megjithatë duhet ta vendosë mundësinë për anëtarësim të plotfuqishëm dhe duhet të jenë më të sinqertë në lidhje me disa prej kornizave kohore të cilat për momentin nuk i japin. Nëse kemi korniza më të precizuara kohore atëherë vendet e Ballkanit Perëndimor do të sillen pak ndryshe  dhe në drejtim të asaj Unioni ekonomik për të cilin bëjnë propagandë”, shtoi Dimitar Nikollovski – Eurothink.

Samiti për Ballkanin Perëndimor u mbajt javën e kaluar në Bërdo te Kranji në Slloveni, nga ku ndër pikat e para që doli si përfundim është riafrimimi i BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor dhe anasjelltas, si interes i përbashkët strategjik.