Çfarë ka biseduar LSDM me Vetëvendosjen? LEN në SHBA, bashkë me Bekim Qokun, këshilltarin e Albin Kurtit

TË FUNDIT

Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Mile Zeçieviq dhe sekretari partiak për bashkëpunim ndërkombëtarë, Bojan Mariçiq kanë biseduar me kolegët e tyre Alim Rama, sekretar i përgjithshëm i Vetëvendosjes dhe Hajrulla Çeku, sekretar për bashkëpunim ndërkombëtarë. Në kumtesën e shkurtër nuk zbulohet nëse është biseduar rreth paralajmërimeve të Kurtit se Vetëvendosja do të marrë pjesë në zgjedhjet në Maqedoni përmes listës së opozitës shqiptare, që interpretohet si përzierje e drejtpërdrejtë në punët e brendshme të vendit.

“Në mënyrë të ndërsjellë u theksua angazhimi për bashkëpunim e partive në suazë të Partisë së socialistëve europianë, pasi Vetëvendosja u bë anëtare shoqëruese, por edhe mes të rinjve në politikë. Bashkërisht vërtetuan se vlerat europiane dhe dialogu për të gjitha çështjet, janë shumë të rëndësishme për shtet e të gjithë rajonit”, thonë nga LSDM.

Derisa LSDM ishte në Prishtinë, kryetarët e partive të Lidhjes Europaine për ndryshim, Afrim Gashi, Bilal Kasami dhe Izet Mexhiti janë në SHBA. Aty është edhe Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit të Kosovës Kurti për Maqedoninë. Ata kishin takim me kongresmeni Xhim Hajms dhe senatoren Xhoni Ernest, bashkëkryetaren e grupit për çështje shqiptare të Senatit amerikan. Por edhe prej këtyre takimeve nuk ka informacion të qartë nëse është biseduar për pjesëmarrjen e partisë së Kurtit në zgjedhjet në vend. Kryetari i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti në profilin e tij në Facebook shkroi se tema kryesore e bisedimeve ishte përshpejtimi i eurointegrimit të vendit në BE.

“Liderët e Lidhjes europiane për ndryshim e bindën senatoren Ernëst se ky koalicion do të jetë faktori më serioz dhe i vetëm i cili do të mundësojë integrim të vendit në BE, me çka do të ndryshohet gjendja status-quo që është instaluar 20 viteve të fundit”, tha Izet Mexhiti nga LEN.

Edhe pse paraprakisht kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti e quajti përzierje në punët e brendshme të vendit paralajmërimin për pjesëmarrjen e partisë së Kurtit në zgjedhjet në vend, dje ministri i jashtëm Bujar Osmani tha se kjo nuk bëhet fjalë për asgjë të re pasi përpjekje të këtilla ka pasur edhe në të kaluarën dhe se kjo nuk do të ndikojë drejtpërsëdrejti në skenën politike në vend.