Çfarë do të sjellë Qeveria e re e Bullgarisë? Ndryshim të pozitave apo vazhdim të bllokadave ndaj Maqedonisë

TË FUNDIT

Tema rreth formimit të Qeverisë bullgare ende është aktuale te fqinji lindor, ndërsa kabineti i ri pritet edhe nga pala maqedonase që të vazhdojnë negociatat. Cila do të jetë pozita e Qeverisë së re bullgare ndaj vendit tonë dhe negociatat për kontestin e hapur, është pyetje që parashtrohet edhe në Sofjen zyrtare. Këto ditë edhe mandatari bullgar, Pllamen Nikollov, i propozuar nga partia “Ka popull të tillë” në intervistë për BNT u pyet nëse do të vazhdojë politikën e deritanishme ndaj Maqedonisë ose do të bëjë kompromise të caktuara. Gjatë përgjigjes bëri gafë, Marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë e quajti Marrëveshja e Prespës, dhe shtoi se vlerëson se duhet të bëhet revizion.

“Ju dini për Marrëveshjen e Prespës në vitin 2017 dhe sa klauzola të pa përmbushura ka në të. Kjo është diçka që më brengos shumë. Kështu që në asnjë mënyrë nuk do t’i brengosim vëllezërit tanë dhe nuk do t’i privojmë nga mundësia për të ardhmen e tyre evropiane në ndonjë mënyrë të dhunshme ose sipas mënyrës të cilën e bëjnë vendet tjera të Ballkanit. Por, kjo nuk do të thotë se nuk do të këmbëngulim në interesin tonë kombëtar. Si do të bëhet kjo saktë, ndoshta do të bëhet revizion i asaj marrëveshje ose kontroll”, tha Pllamen Nikollov, mandatar i Qeverisë së Bullgarisë.

Hristo Prodanov, deputet i BSP e cila pritet të prononcohet nëse do të hyjë në koalicion me partinë “Ka popull të tillë”, për formimin e Qeverisë, shpjegoi se në prezantimin e anëtarëve të kabinetit të ardhshëm mandatarit Nikollov i është parashtruar pyetja për raportet e ardhshme mes Bullgarisë dhe RMV-së, ku është thënë se nuk do të ketë ndryshim të pozitave nga ana e partisë “Ka popull të tillë”.

“Thanë që nuk është lëndë për të komentuar ndryshimi i pozitës së Bullgarisë ndaj Maqedonisë. E dini, pozita e BSP, dukshëm, përputhet me atë të “Ka popull të tillë” sipas asaj që kandidati për ministër dhe kryetari u përgjigj se do të këmbëngulin që të respektohet Marrëveshja dhe maqedonasit t’i plotësojnë obligimet që dalin nga ajo Marrëveshje”, deklaroi Prodanov.

Ministri teknik për punë të jashtme, Svetllan Stoev, vlerëson se në dy muajt e fundit janë bërë përpjekje për udhëheqjen e dialogut me Maqedoninë në gjithë nivelet dhe që të arrihet marrëveshje e cila do të ishte e pranueshme për Qeverinë e ardhshme politike të Bullgarisë dhe bazë për vazhdimin e procesit të negociatave. Vlerëson se Rezoluta që miratoi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut është hap prapa, por se seriozisht do të shqyrtohet nëse është në harmonizim me Marrëveshjen dhe çfarë ndikimi do të ketë.

“Çdo hap prapa jo vetëm që i nënçmon përpjekjet e bëra dhe e vendos në pikëpyetje atë që është arritur deri më tani, por edhe e pengon vendosjen e atmosferës për besim dhe komunikim të hapur. Një gjë në mënyrë definitive duhet të jetë e qartë, për Bullgarinë është e papranueshme me veprime të tilla të motivohet ose arsyetohet mos plotësimi i marrëveshjes dypalëshe. Mënyra e vetme e mundshme që të arrihet marrëveshje është përmes qasjes me dialog dhe qasjes pragmatike, plotësimi i përpiktë i angazhimeve të ndërmarra ndërkombëtare nga ana e Shkupit”, tha Stoev.

Bisedimet mes Shkupit dhe Sofjes janë në pauzë për shkak se Bullgaria ende nuk ka arritur të formojë Qeveri.