ÇFARË BËJNË DISA KËSHILLTARË TË KRYEMINISTRIT? ZAEV: RUZHIN DHE ZAFIROVSKI KANË LIDHJE ME FRANCËN

TË FUNDIT

Opozita akuzon kryeministrin Zoran Zaev, se po punëson fëmijët e njerëzve të tij, që ata të flasin mirë për punët e qeverisë. Kryeministri u pyet për djalin e ish-ambasadorit Nano Ruzhin, Aleksandar Ruzhin, i cili është punësuar si këshilltar i kryeministrit. Deputeti Antonio Milloshoski, e pyeti Zaevin, pse Ruzhin merr kompensim mujor prej 50 mijë denarëve, kurse këshilltari Ljupço Zafirovski 75 mijë denarë?

“Këshilltari i parë Aleksandër Ruzhin fiton kompensim mujor prej 50 mijë denarëve, këshilltari i dytë është Lupço Zafirovski, i panjohur për opinionin tonë por si duket ju e njihni, merr kompensim mujor prej 75 mijë denarëve. Sa shpesh shiheni me ta, çfarë raportesh ju dorëzojnë, cila është dinamika e punës, a mund të ndani disa prej atyre raporteve me ne që të dimë me cilat delegacione janë takuar, ku kanë lobuar, çfarë kanë arritur”, deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

Kryeministri në përgjigje thotë se ata janë të angazhuar, sepse ata kanë lidhje me Francën, të cilat janë në dobi të Qeverisë.

“Aleksandër Ruzhin ka lidhje të tija, njohuri, është djali i ish-ambasadorit, Nano Ruzhin. Punojmë në disa projekte, pjesa më e rëndësishme është ajo në të cilën jemi fokusuar të gjithë, tërheqja e investimeve të huaja, duam të kemi më shumë investitorë nga Franca. Pjesa më e madhe e detajeve teknike të bisedimeve me kompanitë që kontrollojnë masat, mundësitë dhe të ngjashme, në vendin tonë i bën ai”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Kryeministri tha se nuk ka njohuri për pagën e  Zafirovskit, por tha se është e lartë, sepse pjesën më të madhe të kohës e kalon në Francë dhe është i lidhur me kabinetin e Presidentit Emanuel Makron. Ilija  Dimovski, tha se për shkak të Zaevit, qytetarët po paguajnë 6.4 denarë më shumë për një litër karburant. Gjithashtu ndaj kryeministrit u hodhën edhe akuza se ankesat e qytetarëve që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor janë rritur për 90 %. Por kryeministri Zaev, në kundërpërgjigje tha se pushteti ekzekutiv ka punuar në përforcimin e gjyqësorit i cili, siç shpreson ai, do të japë rezultate më të mira.

Përgatiti: Zimer Jashari