Ende nuk është e sigurte kur do të arrijnë vaksinat e para me të cilat edhe te ne do të fillojë imunizimi masiv i popullsisë. Edhe pse u tërheq avansi për vaksinat kineze, kryeministri Zoran Zaev kumtoi se sot pret sinjal pozitiv nga Kina.
“Është tërhequr avansi për shkak se e prisnim përkrahjen e Ministrisë së punëve të jashtme të Kinës. Nuk mund të qëndrojnë para në një vend të huaj deri sa të përfundojë procedura. Avansi është lëshuar si pjesë e procedurës. Do të presim së pari të përfundojë puna e pastaj t’i paguajmë paratë. Sot pres sinjal pozitiv ose informacion nga Kina që menjëherë ta fillojmë atë procedurë. Ka edhe procedurë të dytë për blerje të 200 mijë vaksina, ndërsa janë formalizuar edhe procedurat për vaksinën ruse Sputnik, është çështje ditësh se kur do të arrijnë vaksinat”, tha kryeministri Zoran Zaev.
Duke komentuar problemin me avansin e kthyer për vaksinat kineze, ministrja e Mbrojtjes, Shekerinska tha se Qeveria është transparente dhe nuk i fsheh informacionet nga opinioni dhe problemet me të cilat përballet.
“Ju i dëgjoni të njëjtat frustrimet, të njëjtën pakënaqësinë dhe të njëjtat hapa problematike te pjesa më e madhe e vendeve anëtare të BE-së, pjesa më e madhe për të cilën mendohej se do ta diktojë ritmin në këtë periudhë. Por edhe ata u ballafaquan me probleme me një pjesë të prodhuesve dhe me sigurimin e sasive të nevojshme. Ajo që është e mirë është se të paktën punëtorët shëndetësorë që janë në linjën e parë të frontit arritën falë këtij donacioni të sigurojnë mbrojtje shtesë”, deklaroi ministrja Radmilla Shekerinska.
Komisioni për sëmundje ngjitëse sot nuk e mbajti takimin e rregullt ku shqyrtohet gjendja aktuale me pandeminë e virusit korona. Takimi është prolonguar për ditët e ardhshme, me kërkesës të anëtarëve të komisionit të cilët do të shqyrtojnë nëse rritja e numrit e të infektuarve ka të bëjë me valë të re, gjë që do të duhet të sjell masa të reja restriktive.
