Këto ditë Presidenti i ri Stevo Pendarovski pritet ta marrë certifikatën nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Televizioni 21 jo zyrtarisht mëson se certifikata ka shanse të jetë vetëm në gjuhën maqedonase, ndonëse në fuqi tashmë është ligji për përdorimin e gjuhëve, me çka detyrimisht do të duhet të jetë edhe në shqip.
U përpoqëm të kontaktojmë kryetarin e KSH-zë Oliver Derkovski por ishte i pakapshëm për redaksinë tonë.
Anëtari i Komisionit Enver Salihi konfirmon se brenda KSHZ-së ka paqartësi dhe po shpreson për zgjidhje.
“Kemi pasur bisedime me anëtarët dhe me shërbimet, dhe kemi disa paqartësi edhe pse nuk është qartë e rregulluar në ligj, ne insistojmë që certifikata të jetë në gjuhë maqedonase dhe në gjuhën shqipe.
Dhe nëse nuk bëhet?
Nëse nuk do të bëhet atëherë unë nuk do të marr pjesë në seancën ku do të jepet certifikata por po besojmë se kjo punë do të bëhet, jemi në bisedë e sipër me anëtarët e tjerë të komisionit dhe besojmë se deri ditën e shtunë do të bëhet”, theksoi Enver Salihi, anëtar i KSHZ-së.
Duke qenë se deri më tani KSHZ- ka respektuar përdorimin e gjuhëve, nënkryetarja e KShZ-së Ditmire Shehu beson se certifikata do të shkruhet edhe në shqip.
“Formularin për dukjen e certifikatës e vendosim nesër si komision i zgjedhjeve dhe besoj se do të jetë konform kodit zgjedhor dhe gjithashtu edhe ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe”, potencoi nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sot përfundoi punën me kundërshtimet e dorëzuara nga ana e përfaqësuesve të kandidates Gordana Siljanovska-Davkova dhe një kundërshtim të VMRO-DPMNE. Nga to 4 janë pranuar ndërsa 8 janë kundërshtuar, tregon Shehu. Ankimuesit tani kanë 24 orë kohë të dorëzojnë padi në gjykatën Administrative. Nëse ka padi, koha se kur Pendarovski e merr certifikatën mbetet pikëpyetje, e nëse s’ka padi dhe gjykata vendos sipas afateve ta parapara, ditën e shtunë Presidenti i ri mund ta marrë certifikatën nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Përgatiti: Besir Arifi
