Për nder të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, përfaqësuesit e Shoqatës të të pagjeturve në Mitrovicë, kanë bërë homazhe dhe kanë vënë kurorë me lule të shtunën në ‘Shtëpinë Muze’ në Lagjen e Boshnjakëve në veri të këtij qyteti, ku 16 vjet më parë forcat kriminale serbe vranë e masakruan 23 civilë të pafajshëm.
Bajram Çerkini, kryetar i Këshillit koordinues të shoqatave për persona të pagjetur, duke shprehur dhembjen e përgjithshme për të pagjeturit, sidomos të veriut të vendit, tha se është i pakënaqur me punën e deritashme që është bërë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
Ai fajin e ka hedhur tek institucionet vendore për neglizhencë dhe mos trysni të mjaftueshme tek faktori ndërkombëtar.
Kjo ditë është duke u shënuar me aktivitet të ndryshme edhe në qytetet e tjera të Kosovës.
