Çejku apelon të shmanget politizimi i mëtejmë i rastit “Thaçi-Veseli”

TË FUNDIT

Përkundër goditjes së madhe që Prokuroria Speciale me seli në Hagë u dha dy figurave kryesore të UÇK dhe shtetit të Kosovës, ish- ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoni, Arben Çejku, apelon që të shmanget politizimi i mëtejshëm i kësaj çështje, transmeton Ora njuz.

“Nuk besoj se do të ketë zhbërje të gjykatës, çdo përpjekje për ta goditur këtë gjykatë do të jetë kundërproduktive. Aty ka qenë gjykata, lidershipi i Kosovës. Vetë Kadri Veseli ka qenë i thirrur nga kjo gjykatë disa muaj më parë, nuk ishte një surprizë e gjithë ajo çfarë artikulon gjykata e Hagës. Është në pjekurinë dhe përgjegjësinë e liderëve të Kosovës që janë të përmendur nga kjo gjykatë që me integritetin që i ka karakterizuar gjatë luftës dhe shtetndërtimit t’i përgjigjen në mënyrë dinjitoze kësaj gjykate, ashtu si Ramush Haradinaj që dy herë dha dorëheqje për tu ballafaquar me akuzat e kësaj gjykate. Duhet stopuar një politizim i kësaj situate, nuk duhet të kalojmë në pozitën e viktimizimit. Bëhet fjalë për ballafaqim akuzash dhe jo dënime apo gjykime përfundimtare. Nëse Kosova do të bëjë hapa pas kjo gjykatë do të zëvendësohet me një gjykatë të Kombeve të Bashkuara që mund të jetë shumë herë më e dëmshme për Kosovën”, ka thënë Çejku.

Sipas tij, akuzat janë individuale dhe do të duhet të provohen nga gjykata, deri në atë moment janë hipoteza.

“Është detyra e atyre që fatkeqësisht e kanë emrin në ato lista të ballafaqohen. Është fakt që një pjesë e madhe e luftëtarëve të UÇK janë intervistuar gjatë kësaj periudhe. Nuk e dimë për çfarë akuzash bëhet fjalë. Dje janë përmendur dy emrat kryesorë. SHBA nuk mund të bëjnë hapa pas derisa e kanë mbështetur këtë gjykatë”, tha Çejku.

Lajmi i mirë për Çejkun është fakti se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington u spostua në kohë.

“Lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes ka pasur dhe ka spekulime, e rëndësishme është që dialogu u spostua në kohë. Gjykata Speciale ishte çelësi që bllokoi këtë proces të ri i cili shihej si një epilog i gjithë dialogut të zhvilluar nën mbikëqyrjen e BE dhe sigurisht të SHBA. Fakti që kemi një hapësirë të re për rifillimin e dialogut është shumë i rëndësishëm për të parë se ka një investim ndërkombëtar sidomos SHBA për ti dhënë një zgjidhje ngërçit mes Kosovës dhe Serbisë”, shton Çejku./MIA