Çegrani nuk dëshiron gurore, banorët të gatshëm për protesta

TË FUNDIT

Një kilometër larg shtëpive të Çegranit është dhënë leje për t’u hapur një gurore.

Këto male parashihet të gërryhen, por çegranasit janë kundër. Nuk duan që t’u prishet rehatia dhe natyra me shpërthime e pluhur.

“Këtu do të bëhet nami o shok! Tjergullat do të bëhen një pëllëmbë me pluhur. S’do të mund të dalin fëmijët e s’do të mund të marrin frymë. Ku janë me mend këta ministrat tanë. Të gjithë të prishur mendsh”, theksoi një banor i Çegranit.


“Prej pluhurit do të ketë problem, prej minimeve do të jetë problem. Si në Labunishtë do të na e bëjnë edhe neve këtu”, u shpreh një banor i Çegranit.


“Unë jam kundër kësaj. Sepse bën dridhje të madhe, deri në thyerjen e xhamave. Frika e fëmijëve. Mund të ketë pasoja”, tha një banor i Çegranit.

Imami i njërës xhami të Çegranit, me aq sa ka folur me banorët, thotë se s’ka dëgjuar dikë të jetë pro gurores.


“Nuk e di se a ka ndonjë “pro”. Do të doja të dija se kush është “pro” për punën e gurores”, potencoi imami i xhamisë së tretë, Latif Ameti.

Për të kundërshtuar nisjen e gërryerjes së këtyre maleve disa banorë kanë formuar grupin “Rezistencë” për Çegranin. Selajdin Abduli na tregoi për hapësirat që parashihen për gurore.

“Fillimisht kompania ka marrë vetëm hapësirën. Flitet për dy kilometra në vijë të drejtë, nga ajo gurorja atje lart deri atje poshtë, ku bëhet fjalë për hapësirë dy kilometra dhe në vijë vertikale, sa kapë mali, 1 kilometër hapësirë”, potencoi Selajdin Abduli.

Në mbrojtje të maleve grupi i Reziatencës ka mbledhur edhe peticion, ndërsa thonë se janë të gatshëm edhe për protesta.

“Si hap të parë morëm nënshkrime të një grupi të vogël aq sa na kërkuan për ta dërguar deri te këshilli komunal i cili këto ditë ka marrë një vendim të dërguar në Ministri për tërheqje të koncesionit ndërsa hapat në vazhdim janë për të mbledhur nënshkrime, Çegrani ka mbi 10 mijë banorë, mund të arrijmë rreth 5 mijë nënshkrime dhe do bëjmë protesta para qeverisë ose Ministrisë së Ekonomisë nëse është e nevojshme”, u shpreh Sadri Saliu.

Ministria e Ekonomisë e ka dhënë koncesionin pasi ka marrë mendim nga 7 institucionet kompetente, përfshirë edhe Komunën e Gostivarit së cilës i përket Çegrani.

Në fakt, pas mendimit pozitiv të Nevzat Bejtës në 2014-tën, kur në krye të Gostivarit vjen Arben Taravari ai në tetor 2018 jep mendim negativ për koncesionin, e pas një muaji ndryshon mendje duke u shprehur pozitivisht. Javën e kaluar Taravari ndërroi sërish mendje dhe kërkon nga qeveria që ta tërheq vendimin. Sipas tij, mendimin pozitiv e ka dhënë duke u bazuar në fjalët e bashkësisë lokale të Çegranit të cilët i kanë thënë se mund të gjendet gjuhë e përbashkët me investuesin, por më pas banorët kanë dalë kundër gurores. Megjithatë sipas  Ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi këto shkresa nuk kanë më vlerë sepse vendimi i qeverisë është marrë.

“Bartësit e funksioneve publike nuk duhet të manipulojnë me letra sot kur bisedojnë nuk kanë asnjë vlerë për shkak se vetë bashkësia lokale e fshatit Çegran mund të dorëzojë letër nëse koncesioneri nuk punon në bazë të marrëveshjes së nënshkruar”, u shpreh Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Kryetari i Gostivarit Arben Taravari këmbëngul që leja të anulohet, ndërsa thotë se është i gatshëm t’u bashkohet edhe protestave të mundshme të banorëve, njëjtë siç është i gatshëm të japë gjysmën e parave në rast se kompania kërkon dëmshpërblim.

“Edhe pse asnjë pikë faji nuk ka komuna e Gostivarit, përveç një mendimi që ka dhënë, sepse të gjitha 15 mendime të tjera i ka dhënë Qeveria. Ja e them publikisht se Komuna e Gostivarit është e gatshme në qoftë se duhet të paguajmë ndonjëfar dënimi të ndajë me qeverinë atë dënim që duhet t’ia paguajë investuesit vetem të mos kemi shqetësim të banorëve të fshatit Çegran”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit.

Palët janë shprehur të gatshme që ditëve në vijim të ulen për të arsyetuar  dhe përballin qëndrimet e tyre, pro dhe kundër gurores.