Disa nga zyrtarët e lartë ushtarakë amerikanë i janë nënshtruar testeve të poligrafit si pjesë e një hetimi të gjerë për rrjedhjen e informacioneve të klasifikuara, pasi në media u publikuan detaje mbi rezervat e disa prej armëve më të avancuara amerikane. Këtë e kanë bërë të ditur për CBS News zyrtarë amerikanë të njohur me rastin, duke shtuar se situata ka ngritur shqetësime se disa prej tyre mund të punojnë për një shërbim të huaj inteligjence.
Sipas burimeve që kanë folur në kushte anonimiteti, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ishte i zemëruar për rrjedhjen e informacionit.
Njëri prej burimeve tha se shumë pak persona kishin qasje në informacionet e klasifikuara lidhur me rezervat e municioneve, çka ka ngritur dyshime se disa prej tyre mund të jenë duke punuar për një shërbim të huaj inteligjence.
Testet e poligrafit nuk janë të pazakonta për zyrtarët e lartë ushtarakë dhe civilë, por numri i personave që iu nënshtruan testimit këtë verë, në kuadër të këtij hetimi, ishte jashtëzakonisht i madh, thanë zyrtarët.
Më herët gjatë kësaj vere, testimit iu nënshtruan disa dhjetëra persona, përfshirë disa zyrtarë të Komandës Qendrore të SHBA-së, si dhe komandantë të njësive ushtarake.
