Carovska: Të mos përhapet panik, nëse ka nevojë ndryshohet modeli i mësimit

TË FUNDIT

Nuk ka nevojë për përhapje të panikut dhe informacioneve të pasakta sepse MASH-i dhe Ministria e Shëndetësisë çdo ditë e ndjekin gjendjen dhe nëse marrim rekomandim për ndryshim, në momentin e njëjtë do të jemi gati të ndryshojmë gjithçka që do të na thuhet, deklaroi sot ministrja Milla Carovska, duke e përsëritur se nga 1 shtatori shkollat do të hapen për të gjithë nxënësit dhe se ky është skenari i parë dhe më i dëshiruari nga tre skenarët për fillim të vitit të ri shkollor.

Në përgjigjen e pyetjes nëse do të rishikohet vendimi për shkak të rritjes së vazhdueshme të të infektuarve të rinj me virusin korona, ajo tha se po ndiqen rekomandimet e autoriteteve shëndetësore dhe vendimi i Qeverisë dhe Shtabit të Krizës, ndërsa modeli për mësim do të ndryshohet nëse Komisioni për Sëmundje Infektive konfirmon se ka nevojë.

Skenari i dytë është modeli hibrid – në mënyrë alternative një javë disa nxënës në klasë, ndërsa gjysma e paraleles – onlajn dhe modeli i tretë, si vitin e kaluar – prezencë fizike për një grup të nxënësve, ndërsa për grupin tjetër në vazhdimësi mësimi të jetë në distancë.

“Më të dëshiruar janë skenari i dytë dhe i tretë. Siç rekomandojnë edhe nga UNICEF-i dhe OECD dhe të gjitha vendet e tjera të cilat janë më të zhvilluara nga vendi ynë, prezenca fizike është më e dëshiruara dhe më përkatëse dhe ne po përgatitemi për këtë model të mësimit, sipas rekomandimeve edhe të Shtabit të Krizës dhe vendimit të Qeverisë. Në një moment të caktuar, nëse Komisioni për Sëmundje Infektive konfirmon se duhet ta ndryshojmë modelin, me jemi  të gatshëm për të tre skenarët”, tha Carovska gjatë vizitës së SHF “Klimenti i Ohrit” në Draçevë ku sot u prezantua stacioni mobil për larjen e duarve donacion nga UNICEF-i përmes USAID-it.

Përfaqësuesja e UNICEF-it në vend Patricia Di Xhovani tha se është më mirë për nxënësit shkollat të jenë të hapura dhe sa më gjatë të jenë të hapura dhe se për mbrojtje nga virusi do të vlejnë masat e njëjta kundër kovidit që vlejnë për të gjithë komunitetin.

“Plani është të fillojmë me 100 për qind nxënësit të kthehen në bankat shkollore, ndërsa më tej do të shohim. Ajo që është më mirë për komunitetin është më mirë edhe për shkollën. Masat që vlejnë për të gjithë, duhet të vlejnë edhe për shkollat. Duhet të përpiqemi që virusin ta mbajmë larg nga i gjithë komuniteti, jo vetëm prej shkollave”, tha Di Xhovani.

Ajo theksoi se shëndeti i fëmijëve është më të rëndësishëm, por se është me rëndësi fillimisht të hapen shkollat, ndërsa të fundit të mbyllen sepse, siç tha, mësimi onlajn ka mundësuar vazhdimësi dhe gjithkund në botë ka pasur kalim të shpejtë që të mos ketë ndërprerje në mësim, por se mësimi onlajn është vetëm një vegël dhe nuk duhet plotësisht ta zëvendësojë procesin arsimor.

Shtoi se MASH-i me komunat punojnë shumë të sigurojnë kushte për kalim të lehtë të mësimit onlajn nëse ka rritje të rasteve të infektimit.