Cantona: Unë do të jem trajneri i ardhshëm i Manchester United

TË FUNDIT

Legjenda e Manchester United, Eric Cantona, do të jetë trajneri i ardhshëm i Manchester United, ndërsa pjesa tjetër e stafit do të shpallet më vonë.

Ky është mesazhi që ish-lojtari i “Djajve të Kuq”, shpërndau me ndjekësit e tij në Instagram, këtë të enjte. Shumë ndjekës janë shprehur mosbesues, për shkak se nuk ka asnjë konfirmim nga klubi për këtë shpallje të francezit.

Michael Carrick është momentalisht trajneri i United pas shkarkimit të Ole Gunnar Solskjaer të dielën. Mes emrave të përfolur për drejtimin e klubit janë Mauricio Pochettino dhe Eric ten Haag, ndërsa së fundmi listës i janë shtuar edhe Ernesto Valverde dhe Lucien Favre.

Por sipas Cantona, kërkimet kanë marrë fund. “Përshëndetje miq”, thotë francezi në videon e postuar. “Do të doja t’ju thoja ekskluzivisht se trajneri i ri i Manchester United jam unë. Shihemi së shpejti”.

Cantona vlerësohet si një prej lojtarëve më të mëdhenj në historinë e klubit, me të cilin ka luajtur në periudhën 1992-1997, duke shënuar 82 gola në 185 ndeshje. Ai ka fituar 4 herë kampionatin dhe 2 herë Kupën e Anglisë nën drejtimin e Sir Aleks Ferguson.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse mesazhi i tij është thjesht një shaka, apo ka diçka të vërtetë.