Komuna e Çairit edhe këtë vit organizoi Marshin e Kujtesës dhe ceremoninë për nder të Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, duke vazhduar traditën e nderimit të viktimave të një prej ngjarjeve më tragjike në historinë bashkëkohore evropiane.
Marshi nisi nga ndërtesa e Komunës së Çairit dhe vazhdoi deri te Memoriali i Srebrenicës në Parkun e Çairit, ku u mbajt ceremonia qendrore përkujtimore dhe u vendosën kurora me lule në nder të viktimave të gjenocidit.Në ngjarje morën pjesë zëvendëskryeministri Bekim Sali, kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit Muhamed Murtezi, deputetja Merita Koçaxhiku, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe lokale, trupi diplomatik, organizata të shoqërisë civile, si dhe një numër i madh qytetarësh.
Siç thuhet në njoftim, në fjalimin e tij, kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Muhamed Murtezi, theksoi se ruajtja e kujtesës për Srebrenicën është përgjegjësi e përbashkët, ndërsa nderimi i viktimave përbën një detyrim moral dhe institucional. Ai shtoi se kujtesa historike duhet të mbetet pjesë e vetëdijes sonë kolektive dhe e brezave të ardhshëm.
“Komuna e Çairit edhe në të ardhmen do të vazhdojë tradicionalisht ta shënojë këtë ditë, duke ruajtur kujtimin për viktimat e Srebrenicës dhe duke promovuar vlerat e dinjitetit, kujtesës dhe respektit ndaj viktimave të gjenocidit,” thuhet në njoftimin e Komunës.
