Bytyqi: Vendimi që të mbulohet pushimi mjekësor nga Covid-19, vlen për të gjithë

TË FUNDIT

Vendimi që tërësisht të mbulohet pushimi mjekësor i atyre që janë të sëmurë nga Covid-19 vlen edhe për administratën publike edhe për sektorin privat, deklaroi sot zëvendës kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, duke e sqaruar vendimin qeveritar.

“Kur themi se do të shfrytëzojnë pushime mjekësore dhe se 100 për qind do të mbulohet kjo, do të thotë se Fondi e ndërmerr barën. Do të thotë – 15 ditë punëdhënësi, e pas kësaj, obligimin ligjor e ndërmerr Fondi”, sqaroi Bytyqi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas ngjarjes së sotme në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

I pyetur nëse do të ketë shkurtime të pagave për të punësuarit në administratën publike për shkak se ajo punon onllajn, zëvendës kryeministri Bytyqi tha se ka rotacione në punën e administratës, por se kjo nuk do të thotë se ata të punësuar nuk janë në punë, por se punojnë edhe nga shtëpia onllajn.

“Mendoj se duhet ngadalë ta ndërrojmë raportin ndaj administratës. Nuk duhet të sillemi në mënyrë diskriminuese ndaj tyre. Ata janë bashkëqytetarë tanë dhe ata nuk janë imunë në Kovid-19 që të themi se një e drejtë e caktuar nuk vlen për ta. Saktë është se ka rotacion, por edhe atëherë, ata kanë punuar prej në shtëpi”, tha Bytyqi.