Bytyqi në takim me LOE: Qeveria është e hapur për të gjitha propozimet konstruktive nga sektori i biznesit

TË FUNDIT

Qeveria do të jetë e hapur për të gjitha propozimet konstruktive të cilat dalin nga sektori i biznesit, porositi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike dhe Koordinim të Sektorëve Ekonomikë Fatmir Bytyqi në takimin e sotëm me delegacionin e Lidhjes së Odave Ekonomike i kryesuar nga kryetarja Danella Arsovska.

Në takim, siç bëri të ditur kabineti i tij, Bytyqi ka potencuar se për momentin në fokus të Qeverisë është krijimi i pakos së katërt të masave gjithëpërfshirëse dhe cilësore për mbështetje të qytetarëve dhe të biznesit, i cili më së miri do t’i reflektojë nevojat e grupeve më të prekura për tejkalimin e krizës së shkaktuar nga Kovid-19.

“Mbështetja e kompanive mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat janë pjesa më e rëndësishme e ekonomisë sonë, do të jetë e rëndësishme, ndërsa fokus i veçantë i është dhënë pikërisht atyre sektorëve të cilët janë më së shumti të prekur nga kriza”, theksoi Bytyqi.

Sipas tij, në mënyrë aktive punohet edhe në masat me të cilat, pas përfundimit të krizës, ekonomia do të rritet me tempo të përshpejtuar. Për këtë qëllim, planet janë që të mbështeten startap-kompanitë dhe të krijohen masa për mbështetje për zhvillim teknologjik dhe vendosjen e inovacioneve që të ngritet konkurrenca e firmave në tregun vendor dhe në tregjet ndërkombëtare.