Bytyqi: Maqedonia e Veriut gëzon mbështetjen e plotë të SHBA-ve në përpjekjet për t’u bërë anëtare e BE-së

TË FUNDIT

Maqedonia e Veriut gëzon mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian (BE), dhe kjo u bë e qartë në takimet që pata në SHBA me përfaqësues të Departamentit të Tregtisë, Departamenti i Financave, Banka Botërore, FMN, por edhe Departamenti i Shtetit, deklaroi zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje ekonomike, koordinim të resorëve ekonomik dhe investimeve, Fatmir Bytyqi.

Në intervistë për Zërin e Amerikës (VOA) në Uashington, Bytyqi theksoi se të gjithë deri më një na mbështesin në rrugën drejt integrimeve evropiane.

“Të gjithë na mbështesin në rrugën drejt integrimit evropian. Të gjithë kanë të njëjtin përfundim se Maqedonia e Veriut e meriton vendin e saj në BE, jo sot, por shumë më herët. Përpjekjet tona drejt BE-së, këtu në Uashington, shihen si një hap i madh përpara në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, tha Bytyqi.

Për zëvendëskryeministrin Bytyqi, sfida më e mprehtë me të cilën përballet vendi është bllokimi i ndryshimeve kushtetuese dhe tha se nuk ka plan B për këtë.

“Maqedonia e Veriut nuk ka plan B. Plani i vetëm është integrimi në BE. Më mirë më shpejt, se më vonë. Shpresoj që të gjitha faktorët, të gjitha partitë të ndërgjegjësohen se me një ndryshim të mundshëm teknik të Kushtetutës, nuk e humbim betejën kundër disa fqinjëve tanë”, potencoi Bytyqi.