Buxheti para deputetëve/ Sipas pushtetit, është zhvillimor, sipas opozitës, joreal

TË FUNDIT

Propozim buxheti për vitin 2023 në seancë plenare në Kuvend. Ministri i financave, Fatmir Besimi duke i arsyetuar projeksionet e arkës shtetërore, përsëriti se financat janë dedikuar për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Siguron se për vitin e ardhshëm investimet do të rriten ndërsa inflacioni do të ulet.

“Ballafaqimi me pasojat e krizës energjetike dhe inflacionin e rritur, së dyti, vazhdim i konsolidimit fiskal dhe përforcim i qëndrueshmërisë fiskale, sigurim i rikuperimit ekonomik dhe rritje e qëndrueshme ekonomike dhe funksionim i papenguar i funksioneve bazë të shtetit, përkrahje e reformave në gjyqësor dhe euro integrimeve.”- deklaroi Fatmir Besimi, Ministër i Financave.
Opozita me kritika, thonë se ky buxhet që është buxheti më i madh në histori, është projektuar në mënyrë të papërgjegjshme.
“Para nesh është propozim buxheti për 2023, më i lartë në histori, joreal, ballon i fryrë që është çështje kohe se kur do të shpërthejë. Buxheti më i madh deri më tani, madje 5,3 miliardë euro. Buxhet që me një fjali do të përshkruhej si buxhet për lidhje të marrëveshjeve sy me sy. Ky është buxhet me deficit më të madh buxhetor prej 4,6% ose 700 milionë eurove që do të sjellë borxh publik prej 64,4% nga BPV-ja.”- pohoi Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.
Buxheti për 2023 peshon 5,3 miliardë euro. Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 282 miliardë denarëve, ndërsa të dalat në nivel prej 324,8 miliardë denarëve. Për shpenzime kapitale janë planifikuar 48,9 miliardë denarë që është mbi 50% më shumë për këtë vit.