Buxhet për polici moderne dhe kushte të denja për policët edhe në vitin 2021, paralajmëroi Spasovski

TË FUNDIT

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski sot e prezantoi buxhetin e Ministrisë për vitin e ardhshëm, duke theksuar se ai është zhvillimor dhe do të kontribuojë në reformën e vazhdueshme policore, duke i vendosur parimet e shtetit të së drejtës në fushën e sigurisë.

“Propozim buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për vitin 2021 ka një vlerë totale prej 10,455,110,000 denarë dhe është 312,452,000 denarë më i lartë se buxheti për vitin 2020, përkatësisht është rritur për 3.08 për qind. Përmes realizimit të buxhetit të parashikuar, arrihen dy qëllime themelore, e para është vazhdimi i konceptit të themeluar të policisë – shërbimi ndaj qytetarëve, ndërsa thellimi i partneritetit midis qytetarëve dhe zyrtarëve policorë do të vazhdojë të prodhojë rezultate edhe më efektive për sigurinë”, tha ministri Spasovski në konferencën e sotme për shtyp.

Qëllimi i dytë, i cili lidhet në thelb me të parin, shtoi ai, është krijimi i një policie moderne, të pajisur, profesionale, efikase, por edhe të kënaqur e cila do të jetë pranë qytetarëve dhe në një mënyrë ligjore, profesionale, transparente dhe e përgjegjshme ta garantojë plotësisht personalitetin e tyre dhe sigurinë e pasurisë dhe do të vazhdojë të ballafaqohet me vendosmëri dhe pa dallim me krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe të punojë me sukses për t’i parandaluar të gjitha format e terrorizmit dhe akteve të tjera antikushtetuese.

“Nëse në periudhën e mëparshme kemi investuar në pajisje të reja që pas shumë vitesh kryesisht i kemi rinovuar, vitin e ardhshëm do të vazhdojmë me furnizimin e uniformave të reja për policinë dhe njësitë speciale të MPB-së, si dhe furnizimin e armëve, municioneve, pajisjeve mbrojtëse, me çka praktikisht jemi duke e përfunduar plotësisht projektin tonë, duke e bërë të qartë se çdo oficer policie duhet dhe duhet të sigurohet me parakushtet themelore për funksionimin normal”, tha Spasovski.