Për VMRO-DPMNE-në, buxheti për vitin 2024 i miratuar në Qeveri, është shpërdorues dhe kriminal. Zëdhënësja Marija Miteva akuzoi se LSD dhe BDI për vitin 2024, si dhe për vitet e mëparshme të qeverisjes së tyre, projektojnë një buxhet megaloman, me shumë para për prokurime dhe mbushje xhepash. Për 6 vite, edhe pse qeveria shpenzon miliarda, Maqedonia ka stagnuar, tha ajo. Pas këtij dështimi, e vetmja gjë që i ka mbetur kësaj qeverie, sipas Mitevës, është që të largohet dhe të mos të kthehet më.
“Konkluzioni është i qartë, as buxhetet e vitit 2018 deri në 2023 nuk kanë qenë zhvillimore dhe as ky për vitin 2024. Të gjitha buxhetet e deritanishme, sidomos ai i vitit 2024, janë për të mbushur xhepat e njerëzve të afërt me qeverinë, ndërsa populli nuk ka ilaçe, nxënësit nuk kanë libra, pensionistët qajnë për pensione më të larta, nuk ndërtohen rrugë, nuk ka investime të reja. E vetmja gjë që po rritet me këtë qeveri është borxhi, i cili nga 4.7 miliardë në 2017, tani është afër 8.5 miliardë euro”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE.
