Edhe pse rezultatet zgjedhore në Bullgari ende janë të paqarta, kryetari i partisë “Ka një popull të tillë”, shoumeni Sllavi Trifonov jo vetëm që e paralajmëroi formimin e qeverisë, ai madje e prezantoi kabinetin qeveritar në të cilin Trifonov nuk ka funksion. Pas dështimit që të formojë qeveri pas zgjedhjeve që u mbajtën 3 muaj më parë, tani si kryeministër i ri e paralajmëroi Nikollaj Vasilevin, Radi Najdenov si ministër i jashtëm ndërsa shpejtoi ta prezantojë edhe programin qeveritar. Në paraqitjen e parë Trifonov me tallje na quajti maqedonas veriorë.
“Do të dorëzojmë kërkesë për anëtarësim të Bullgarisë në Agjencinë evropiane kozmike, për shkak se vetëm Bullgaria nuk është anëtare në të. Do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të dërguar një burrë dhe një grua që do të jenë astronautët e parë bullgarë në NASA. Do të bëjmë gjithçka që atyre t’u bashkëngjitet edhe një astronaut maqedonas verior”, tha Trifonov.
Edhe krahas paralajmërimeve të këtilla, vijnë informacione jo zyrtare se GERB e Bojko Borisovit i paraprin partisë së Trifonovit. Sipas mediave bullgare, koalicioni GERB – SDS paraprin në 14 zona përkatësisht me 23,91% para partisë së Trifonovit i cili paraprin në 8 zona në Bullgari ose me 23,66% ku shumica e votave janë prej diasporës. Borisov dje akuzoi për parregullsi të shumta veçanërisht në diasporën.
“Zgjedhje si në Venezuelë, sipas Maduros. Kaos total në vend, ndërsa në vendet e huaja kjo do të ishte vjedhje e shekullit. Hyjnë forca speciale të policisë, i prekin aparatet për votim, askush nuk e di se kush janë ata”, vlerësoi Borisov.
Sipas rezultateve të para jo zyrtare, Bullgaria përsëri ballafaqohet me sfidën se si të formojë qeveri. Trifonov mund të fitojë më së shumti 60 mandate nga gjithsej 240 në Parlamentin bullgar, që nuk mjafton për shumicën e nevojshme, sidomos për shkak të faktit se ai deklaroi se nuk do të bëjë koalicione. Partia e Karakaçanovit VMRO-BND i cili udhëhiqte fushatë me spote provokuese për Maqedoninë, i humbi edhe këto zgjedhje dhe nuk arriti të fitojë asnjë mandat. Autoritetet maqedonase dërguan mesazh se presin që në Bullgari së shpejti të formohet qeveri politike dhe shumicë e qëndrueshme parlamentare me shpresë që të vazhdojnë negociatat dhe të hiqet vetoja deri në fund të vitit. Megjithatë sinjalet që vijnë nga pala bullgare janë se pa dallim se si do të jenë rezultatet, pozitat zyrtare të Sofjes do të mbeten të njëjta.
