Me duartrokitje dhe shumicë, dje Kuvendi miratoi Rezolutën me të cilën mbrohen interesat nacionale maqedonase, kurse Bullgaria tani për tani pa reagime të mëdha!
“Njëkohësisht, për kushtet e tyre për pranim në BE Bullgaria nuk bën obstruksione. Nuk kemi vendosur asgjë të re apo diçka që nuk mund të plotësohet. E vetmja gjë të cilën synojmë është që në mënyrë të shpejtë dhe efikase të përmbushen obligimet e pranuara, kurse ne sigurisht se do ta pranojmë obligimin, t’i ndihmojmë vendit që të anëtarësohet sa më shpejt që është e mundur”, tha Dimitar Gardev, sekretar ndërkombëtar.
Ish-diplomati dhe profesori universitar, Nano Ruzhin për TV21, thotë se Bullgaria do të ketë reagim negativ sa i takon Rezolutës së miratuar.
“Më në fund janë përcaktuar ato linja dhe është zbuluar, të themi teori komploti ose disa forma të diplomacisë së fshehur se dikush dëshiron t’i shesë interesat kombëtare dhe kjo është mirë, sepse populli maqedonas e di se nuk bëhet fjalë për asnjë lojë, por për negociata të ndershme të cilat për fat të keq po zhvillohen shumë vështirë, për shkak të specifikës dhe reagimit të Sofjes”, tha Ruzhin.
Dokumenti i sjellë në Kuvend e obligon Qeverinë që gjatë negociatave me Bullgarinë për tejkalim të bllokadës dhe nisje të bisedimeve aderuese me BE ta respektojë vazhdimësinë e gjuhës maqedonase dhe dialektet e saj, autoktoninë e popullit maqedonas dhe vazhdimësinë historike, gjuhësore, kulturore dhe religjioze, duke u bazuar në njohuritë e shkencës dhe faktet e vërtetuara, teoritë, kërkimet dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.
