Bullgari, arrestohen 6 persona

TË FUNDIT

Në protestat e sotme kundër korrupsionit, Qeverisë dhe prokurorit shtetëror në Bullgari, janë arrestuar gjashtë persona sepse gjoja kanë mbajtur mjete të ndaluara.

Protestat mbahen në kryeqytetin e Bullgarisë tashmë 64 ditë, ndërsa pjesëmarrësit filluan të tubohen në sheshin kryesor sot në mëngjes në numër pak më të madh se zakonisht.

Një numër i madh i policëve janë të pranishëm rreth ndërtesave të Parlamentit, Qeverisë dhe Presidencës, ndërsa siç është cekur, gjatë bastisjes në rajon policia gjeti gypa metali, qese përplot me gurë dhe shishe xhami, shufra druri, dy thika, shkop dhe enë me pesë litra lëng të paidentifikueshëm me aromë të fuqishme.

Protesta e sotme është vazhdim i “Zgjimit të madh nacional” të mbajtur më 2 shtator, kur mijëra demonstrues marshuan nëpër rrugë duke kërkuar dorëheqje të Qeverisë së Bojko Borisovit dhe kryeprokurorit shtetëror, Ivan Geshev.

Presidenti bullgar, Rumen Radev në profilin e tij në Fejsbuk shkroi se protestat u takojnë njerëzve në rrugë dhe njerëzve të cilët nuk janë “kontrabandistë apo mafiozë” dhe “të cilët duan ta kthejnë kontrollin në shtetin e tyre”.