Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, u përgjigjet akuzave të nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikollovski për marrëveshje me ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Bujar Osmani në rrjetin social Facebook shkruan:
“Veç më një kohë të gjatë qëndrimet e pamatura po krijojnë përçarje jo vetëm në indin tonë të brendshëm – marrëdhëniet e suksesshme multietnike, por edhe në adutin tonë më të fuqishëm – marrëdhëniet e suksesshme me fqinjët. Shqipëria është mik i yni, vend i cili lobonte me bujari nga brenda për integrimin tonë në NATO, dhe vend i cili, po ashtu si ne, shpreson në sukses të integrimeve evropiane. Nuk ekziston Ballkan stabil, përveç atij i cili është plotësisht i integruar në Bashkimin Evropian dhe NATO, e aq më pak, nuk ekziston vend stabil askund në botë, që nuk i respekton dhe kujdeset për marrëdhëniet me fqinjët e vet.
T’ju përgjigjem dilemave tuaja: as ne nuk mund të ndikojmë në procesin e integrimeve evropiane të Shqipërisë, e as ata nuk mund ta pengojnë progresin tonë; e vetmja gjë që mund të bëjmë është t’i ndihmojmë njëri tjetrit, sepse kemi një qëllim të përbashkët – të shohim Ballkanin Perëndimor të integruar në BE, dhe që është edhe më e rëndësishme, të mbetemi miq të mirë në atë rrugë me respekt të sinqertë ndaj njëri tjetrit”, shkruan zëvendëkryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.
