Shkupi realizon tre transferime për një ditë

TË FUNDIT

Klubi i Futbollit Shkupi ka njoftuar se ka realizuar tre transferime të reja, transmeton TV21.

Me fanellën bardhëkaltër do të vishet brazilani 29-vjeçar Nilton Soares Rodrigues (Niltinho), boshnjaku Armir Hodxhiç dhe shqiptari Luan Abazi.

Niltinho është sulmues i krahut të djathtë, por luan edhe në pozitën e majtë, i cili përveç se shënon gola, ai shquhet shumë edhe për asistime.

Sulmuesi brazilian është shprehur i kënaqur nga pritja që i është bërë në kampin bardhekaltër, duke shtruar se vjen si përforcim për të ndihmuar ekipin në arritjet e ambicieve të tij.

“Ndihem shumë mirë, të gjithë më kanë bërë pritje shumë të mirë dhe pozitive, gjithashtu edhe futbollistët më pritën shumë mirë! Kam ardhur këtu për të forcuar një grup që tashmë është shumë i mirë. Pritshmëritë janë shumë të larta, klubi ka objektivat e tij dhe ne do të mundohemi që ti arrijmë ato. Me punë, përkushtim dhe durim, së bashku me tifozët do të festojmë arritjet tona”, ka thënë Niltinho, me të cilin është nënshkruar kontratë një vjeçare.

Hodxhiç te Shkupi vjen si futbollist i lirë, ndërsa së fundmi ishte pjesë e Zheljezniçarit të Sarajevës.

“Më vjen mirë që jam pjesë e Shkupit, me të cilin klub kemi plane të mëdha dhe kjo është arsyeja që kam ardhur këtu, që ti konkretizojmë planet tona dhe të jemi sa më të mirë. Jam shumë i lumtur që jam këtu, ku nga klubi më kanë pritur mrekullueshëm dhe po punojmë mjaft mirë”, është shprehur Hodxhiç.

Luan Abazi vjen te Shkupi në formë huazimi nga skuadra zvicerane FC Will.

Abazi është me shtetësi të dyfishtë, atë zvicerane dhe të Maqedonisë së Veriut. Abazi debutimin e tij të parë e kishte për përfaqësuesen e Zvicrës U17, që më pas të luajë për grupmoshat e Maqedonisë së Veriut, duke filluar nga U18 deri në U21.

“Duke pare seriozitetin e kryesisë, jam i kënaqur me ardhjen time në FC Shkupi. Gjatë qëndrimit tim në kampin e U21 të Maqedonisë së Veriut, disa nga kolegët të cilët janë pjesë e FC Shkupit, me kanë treguar për planet dhe ambiciet e klubit. Kështu shpresoj që me golat e mi, të ndihmoj klubin në fund të sezonit të shpallemi kampion dhe të arrijmë sa më lartë në kupat evropiane”, ka thënë Abazi./TV21