Në orët e para të së dielës, Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar ndërhynë në një operacion në Kanalin Anglez kundër një tankeri të lidhur me të ashtuquajturën “flota e hijes” ruse.
Sipas kryeministrit britanik Keir Starmer, operacioni zgjati rreth gjashtë orë dhe u realizua nga komandot e marinsave mbretërorë, oficerë të specializuar të Agjencia Kombëtare kundër Krimit dhe mbështetje ajrore nga Forca Ajrore Mbretërore (RAF). Tankeri “Smyrtos” u kap nga forcat britanike dhe tani po mbahet nën monitorim pranë bregdetit jugor të Anglisë, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Operacioni u mbështet nga avionë patrullues detarë, përfshirë RAF P-8 Poseidon, si dhe anijet luftarake HMS Sutherland dhe HMS Ledbury. Ministria e Mbrojtjes e Britanisë deklaroi se ky veprim i jep një goditje të mëtejshme përpjekjeve të Rusisë për të financuar luftën në Ukrainë përmes eksporteve të naftës.
Qeveria britanike dhe ministri i Mbrojtjes Dan Jarvis theksuan se Rusia përdor një “flotë të fshehtë” tankerësh me struktura pronësie të paqarta për të shmangur sanksionet ndërkombëtare.
Kjo flotë, që besohet se përbëhet nga mbi 700 anije dhe transporton një pjesë të madhe të naftës së sanksionuar ruse, konsiderohet një burim i rëndësishëm financiar për Kremlinin. Mbretëria e Bashkuar ka sanksionuar tashmë mbi 500 anije të tilla, ndërsa operacioni i fundit shihet si pjesë e përpjekjeve më të gjera për të kufizuar aftësinë e Rusisë për të financuar luftën.
Rusia, sipas deklaratave britanike, vazhdon të përdorë këtë rrjet anijesh për të anashkaluar kufizimet ekonomike të vendosura pas pushtimit të Ukrainës, ndërsa operacione të tilla pritet të intensifikohen në të ardhmen
