Pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës ka reaguar Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Jonathan Hargreaves dhe Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde.
Ambasadori i Britanisë, Hargreaves, ka thënë se urgjentisht Kosova ka nevojë për një kuvend dhe qeveri funksionale.
“Më shumë se dy muaj që prej kur populli i Kosovës votoi në zgjedhje, Kosova urgjentisht ka nevojë për një kuvend dhe qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të presë që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku në interes kombëtar”, ka shkruar Hargreaves.
Derisa Rohde ka deklaruar se më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës ka mbetur në bllokadë si rezultat “i taktikave bllokuese”.
Ambasadori gjerman ndër të tjerash ka thënë se qytetarët meritojnë politikanë që prioritizojnë Kosovën mbi politikat e partisë.
“Prandaj e përsëris: Duhet urgjentisht një bashkëpunim i mirëfilltë për të siguruar funksionimin e institucioneve dhe formimin e shpejtë të një qeverie të qëndrueshme”, ka thënë Rohde./21Media