Numri i azilkërkuesve që presin të marrin një përgjigje nëse do të mund të vijojnë të qëndrojnë në Britaninë e Madhe apo jo ka arritur nivele rekord.
Deri më tani janë regjistruar rreth 166 mijë azilkërkues të cilët presin përgjigje ndërsa pothuajse 110 mijë janë në pritje prej 6 muajsh ose më shumë.
Në numrin e 166 mijë azilkërkuesve përfshin ata persona që presin përgjigje për rezultatin e apelimeve si dhe për vendimet fillestare.
Kjo shifër është një rritje prej 60% krahasuar me vitin e kaluar dhe është më shumë se 160 mijë për herë të pare, transmeton BBC.
Ndërkaq, Britania e Madhe është duke bërë gati ligjin përmes të cilit do të ndalojë të gjitha kalimet e paligjshme të emigrantëve për në vendin e saj.
Ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Suella Braverman ka deklaruar se ata që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes rrugëve të paligjshme do të rikthehen në vendet e tyre të origjinës.
Sipas zyrtarëve britanikë sistemi i azili është i mbingarkuar dhe ndryshimet në ligj do të bëjnë të mundur sipas tyre që të ndalojnë emigrantët.
Gjithashtu parashikohet të vendoset edhe një kufi për dhënien e azilit në Mbretërinë e Bashkuar. Nga ana e tyre laburistët e konsideruan ligjin si një instrument që më shumë e përkeqëson se sa e rregullon gjendjen.
Më shumë se 45 mijë persona hynë në Mbretërinë e Bashkuar përmes Kanalit të La Manshit vitin e kaluar, nga rreth 300 që mundën të kalojnë në vitin 2018.
Qeveria beson se ndalimi i varkave të vogla është një çështje kyçe për votuesit dhe kryeministri Rishi Sunak e ka bërë atë një nga pesë prioritetet e tij kryesore.
Braverman tha se ligji i ri do të lehtësojë sfidat e qeverisë britanike për të goditur edhe “skllavërinë moderne” të trafikimit të qenieve njerëzore.
Ministrja e Brenshme shpjegoi para deputetëve se ajo nuk mund të “bënte një deklaratë përfundimtare të përputhshmërisë së ligjit sipas Aktit të të Drejtave të Njeriut”. Por shtoi se “kam besim se ky projektligj është në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.
