Elizabeth Taylor është një nga fytyrat më të fotografuara në histori. E cilësuar si një nga gratë më të bukura të botës, Liz ishte e preferuara e shumë fotografëve të kohës kur ishte në majat e suksesit në ekran.
Ajo ishte idhulli edhe i fotografes Catherine Opie, por gjithë sa ajo mundi të fotografonte nga aktorja e madhe ishte ambienti i brendshëm i shtëpisë së saj. Në vitin 2011, Opie mundi të hynte disa herë në shtëpinë e Taylor në Bel Air, por nuk u takua kurrë me të, pasi aktorja ishte e sëmurë dhe nuk mund të bënte foto.
Në vend të fytyrës së aktores, Opie fiksoi me aparatin e saj ambientet e shtëpisë ku ajo jetonte. Në foto bien në sy veshjet e shtrenjta, statujat “Oskar”, këpucët “Chanel”, vepra arti shumë të kushtueshme dhe … diamantet, një pjesë e të cilave u shitën në ankand pas vdekjes së aktores.







