“I qoftë me fat”
Kështu kryeministri Hristijan Mickoski iu përgjigj paralajmërimeve të deputetit të koalicionit VLEN, Halil Snopçe se do ta braktisin Qeverinë nëse ligji për branitellat kalon në Kuvend. Siç deklaroi deputeti Snopçe në Click Plus, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi ka mënyrat e veta për të bllokuar ligjin. Nëse ky ligj kalon, atëherë duhet të kalojë bashkë me statusin e ish ushtarëve të UÇK-së.
“Njëra garancë është garanca e kryetarit të Parlamentit, Afrim Gashi se ligji për branitellat nuk kalon. Dakord! Ka ai garancat dhe metodat e veta sigurisht, i ka bërë analizat e veta. Eventualisht nëse ndodhë ajo tjetra, edhe aty s’kemi vend në qeveri. Por mos harrojmë se ligji për branitellat ka historinë e vet. Ligji për branitellat mund të kalojë, vetëm nëse paralelisht zgjidhet edhe statusi i ish ushtarëve të UÇK-së”, tha Halil Snopçe.
Por me këtë kërkesë assesi nuk pajtohen nga LSDM. Deputetja propozuese e ligjit, Sllavjanka Petrovska, thotë se ky propozim ligj ka të bëjë vetëm me pjesëtarët e forcave të sigurisë së shtetit, para dhe pas konfliktit të vitit 2001.
“Jo! Sepse ky ligj është për të drejtat e pjesëtarëve të forcave të sigurisë. Në këtë ligj absolutisht dihet se cili është synimi i këtij ligji kështu që ajo çështje edhe në aspektin formalo juridik apo si të doni, nuk mund të përfshihet”, deklaroi Sllavjanka Petrovska.
Petrovska e konsideron si hap prapa thirrjen e VMRO-DPMNE-së që t’i bëhet thirrje kryetares së komisionit për politikë sociale, demografi dhe të rinjë, Ilire Dauti, që të thërrasë komisionin me pikë të rendit të ditës, propozim ligjin për branitellat. Thotë se më mirë është që të thirret komisioni për çështje të imunitetit dhe të diskutohet nëse kryeparlamentari Afrim Gashi ka respektuar rregulloren e punës, duke mos e marrë përsipër komisionin siç bëri me komisionin për çështje financiare. Propozim ligji, thotë se nuk është as provokim e as tentim për destabilizim.
“Pohoj se thirrja e komisionit është një hap prapa sepse tanimë edhe kryetarja e atij komisioni publikisht tha se nuk do ta thërrasë komisionin. Ajo që ne do ta bëjmë gjithashtu sipas rregullores, është e drejtë e jona, është të kërkojmë të thërrasë seancë komisioni për çështje të imunitetit e cila duhet të debatojë nëse Gashi po e zbaton rregulloren në mënyrë të drejtë apo jo”, u shpreh Petrovska.
Kryeministri Mickoski i’a plotësoi kërkesën Petrovskës, duke i bërë thirrje Gashit, përmes një konference për media.
“Nëse dhe kur do të vijë ligji për branitellat nuk e di, kjo nuk varet nga unë, unë jam kryetar i Qeverisë. Por kurdo që të vijë, do ta ketë mbështetjen tonë.
A do t’i bëni thirrje kryetarit të Kuvendit, Gashit, që të thërrasë komisionin?
Ja po e thërras. Meqenëse LSDM këtë po e kërkon, po e thërras”, tha Hristijan Mickoski.
Përndryshe siç sqaroi sot deputetja Petrovska, propozim ligji për branitellat është thuajse i njëjtë me atë aktual, vetëm se zgjerohet edhe me pjesëtarë të tjerë të ish pjesëtarëve të forcave të sigurisë, përfshirë ata që humbën jetën në fatkeqësinë me helikopter në Katllanovë, në Bosnje e Hercegovinë në aksidentin ku humbi jetën ish presidenti Boris Trajkovski, në tragjedinë e vitit 2014 me helikopter në Strumicë si dhe pjesëtarët e policisë që morën pjesë në konfliktin në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Petrovska kërkon që dëmshpërblim të marrin të gjithë anëtarët e familjes, përfshirë vëllezërit, motrat dhe pasardhësit e të ndjerit, nëse prindërit kanë ndërruar jetë.