Bozhinovska pret ulje të çmimit të rrymës! EMV do të sigurojë 70 në vend të 100% të energjisë elektrike për furnizuesin universal

TË FUNDIT

Nga viti i ardhshëm EMV do të sigurojë për Furnizuesin Universal maksimum 70 në vend të 100 për qind të energjisë elektrike të nevojshme për furnizimin e amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël. Kjo është pjesë e obligimeve të përcaktuara me Agjendën Reformuese. 30 për qind e mbetur do të duhet të sigurohen në tregun e hapur ku çmimet ndryshojnë. Por ministrja e energjetikës, Sanja Bozhinovska, është optimiste. Thotë se duke qenë se çmimi i rrymës në bursa aktualisht është zero dhe ka energji të mjaftueshme, pret ulje të çmimit të energjisë për qytetarët. Por nëse ka luhatje, thotë se megjithatë ekziston plan.

“Nëse i shikojmë çmimet se janë zero në këtë periudhë dhe sa shumë ka më tepër energji elektrike dhe se edhe Greqia tashmë eksporton, unë mendoj se mund të pritet ulje e këtyre çmimeve. Megjithatë kjo është bursë, që do të thotë se në bursë mund të ketë edhe rritje edhe ulje dhe një trend është se tani ka shumë çmime të ulëta dhe zero”, tha Sanja Bozhinovska – ministre e Energjetikës.

Për momentin nuk dihet cilat do të ishin ndryshimet e mundshme të blloqeve tarifore për energjinë elektrike të cilat u vendosën gjatë krizës së mëparshme energjetike. Deklarata e parë e kryetarit të ri të Komisionit Rregullator për Energjetikë ishte se ato do të rishikohen. Bozhinovska është e vendosur se ky është vendim i Rregullatorit, por nëse kërkohet, do të japin mendimin e tyre.

“Blloqet u miratuan kur çmimet në bursën e energjisë elektrike ishin 700, 800 ose 1.000 euro për megavat orë. Tani kemi një pamje krejtësisht tjetër, domethënë kemi çmime zero. Komisioni Rregullator për Energjetikë është përgjegjës për blloqet. Ata i përcaktojnë, ata bëjnë hulumtim dhe shohin çfarë po ndodh. Nëse na thërrasin, ne gjithsesi do të japim mendimin tonë. Megjithatë qëllimi është një dhe i vetëm, qytetarët të kenë fatura më të ulëta, gjë që shpresoj se edhe Rregullatori e ka”, u shpreh ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska.

Aktualisht, për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, EMV ia shet Furnizuesit Universal energjinë elektrike me çmim prej 65 euro për megavat-orë, ndërsa çmimi i prodhimit të kompanisë është rreth 100 euro. Ky çmim, në vend që të vlejë për gjysmë viti si më parë, do të vlejë për gjithë vitin 2026. Korrigjimi i ri i çmimeve të energjisë elektrike do të bëhet vitin e ardhshëm.