Bozhinovska nënshkruan memorandum mirëkuptimi me SHBA-në, avancim i sigurisë së furnizimit me gaz natyror

TË FUNDIT

Memorandumi i mirëkuptimit me Shtetet e Bashkuara për avancimin e sigurisë së furnizimit me gaz natyror u nënshkrua në Uashington nga ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, dhe zëvendëssekretari i shtetit i SHBA-së, Christopher Landau. Memorandumi është pjesë e dialogut strategjik me SHBA-në. Ende nuk janë bërë publike detaje konkrete për përmbajtjen apo projektet që parashihen.

“Dokumenti parasheh edhe hapa konkretë për zhvillimin e infrastrukturës, përmirësimin e transparencës së tregjeve të gazit, duke hapur mundësi për përdorimin e instrumenteve financiare publike dhe private, përfshirë mbështetje nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe agjencitë e kredive për eksport. Fokusi i bisedimeve është i qartë – siguria energjetike, bashkëpunimi ekonomik dhe projekte konkrete që sjellin stabilitet, investime dhe zhvillim”, tha Sanja Bozhinovska, ministre e energjetikës

Nga Ministria e Energjetikës njoftuan se Memorandumi konfirmon përkushtimin e përbashkët për diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit me gaz natyror, rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit energjetik, sigurimin e gazit të qëndrueshëm, të sigurt dhe të përballueshëm për shtetin, si dhe forcimin e lidhshmërisë rajonale dhe integrimin e tregjeve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, nga Uashingtoni deklaroi se dialogu strategjik me SHBA-në sjell rezultate konkrete për sigurinë.

 “Ministria e Punëve të Brendshme merr mbështetje rreth 3,5 milionë dollarë nga Shtetet e Bashkuara, të cilat do të orientohen veçanërisht në fushën e Policisë Kufitare dhe luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar transnacional. Me të gjitha këto hapa të përbashkët që kemi ndërmarrë dhe ato që do të pasojnë, do ta forcojmë ndjeshëm sigurinë, jo vetëm për qytetarët e Maqedonisë, por edhe për të gjithë ata që kalojnë tranzit nëpër vend, si dhe në mënyrë indirekte edhe për sigurinë e SHBA-së”, tha Pançe Toshkovski – ministër i Punëve të Brendshme.

Detaje për projektet dhe investimet që janë diskutuar në dialogun e dytë strategjik mes SHBA-së dhe Maqedonisë nuk zbuloi as kryeministri Hristijan Mickoski.

 “Kemi një deklaratë të përbashkët të harmonizuar sa i përket tarifave doganore, e cila është konfirmuar. Janë konfirmuar edhe disa investime të tjera që do të pasojnë”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryeministër.

Ai vetëm paralajmëroi hapjen e një miniere të antimonit në rajonin e Kriva Pallankës, si investim amerikan në kuadër të partneritetit strategjik. Plani është që antimoni nga Laka të eksportohet në Oklahoma dhe të hapet një minierë pranë Kriva Pallankës.