Bota në flakë! Greqia, Turqia, Italia, ShBA-të luftojnë, pësojnë lagje të tëra

TË FUNDIT

Në veri të Athinës, flakët mund të shihen nga larg. Ato paraqesin rrezik për vendin e quajtur Varibobi, i cili u evakuua sërish, pas zjarrit të madh që shpërtheu para katër ditëve.

Në po të njëjtin rajon, shpërthyen edhe tre zjarre të mëdha të cilat shtrihen në sipërfaqe prej disa kilometrave dhe rrezikojnë disa zona periferike të Athinës.

-Ndihem i pafuqishëm para zjarreve të këtilla. Ato u përhapën edhe në rajone të tjera, duke shkatërruar sipërfaqe të mëdha pyjesh. Mendoj se ne nuk mund t’i shuajmë në këtë moment”, tha Dimitris, qytetar i Athinës.

Edhe në ishullin Evia situata është e vështirë. Ishulli i dytë më i madh i mbuluar me pyje të dendura, është zhdukur nën re tymi. Atje me anije janë evakuuar qindra qytetarë, shkaku i zjarrit që u afrohej zonave bregdetare.

Dy lagje në provincën Ajdin të Turqisë janë evakuuar si masë kujdesi për shkak të zjarrit. Tymi i dendur dhe zjarri po përhapen dhe u afrohen shtëpive, kurse zjarrfikësit dhe banorët lokalë tentojnë t’i vënë flakët nën kontroll. Nga gjithsej 208 zjarre pyjore në 44 qytete të Turqisë, 196 janë vënë nën kontroll. Zjarre aktive ka edhe në 5 qytete të tjera: Antalia, Muglla, Isparta, Ajdini dhe Denizli.

Edhe ekipet zjarrfikëse në Itali vazhdojnë të luftojnë me zjarrin në pjesën jugore të vendit, ku meteorologët parashikojnë temperatura tejet të larta në ditët në vijim. Njëkohësisht, pritet stuhi e fuqishme në pjesën veriore të Italisë. Gjatë 12 orëve të fundit, zjarrfikësit kanë intervenuar në 395 vende që ishin kapluar nga zjarri, kryesisht në Sicili dhe Kalabri. 8 avionë po luftojnë me zjarret në provincat Rexho Kalabri, Kozenca dhe Matera.

Zjarri Diksi, që e kaploi Kaliforninë e Veriut e i cili ishte nxitur nga era e fortë dhe thatësia, tani shkrumbon sipërfaqe prej 175.153 hektarëve. Ky është zjarri i tretë më i madh në historinë e vendit, thanë zyrtarët e atjeshëm.

Zjarri shpërtheu më 13 korrik në kanionin e lumit Fiter, në veri të Sakramentos dhe shkatërroi 134 shtëpi, kurse tani paraqet rrezik për 13.871 objekte të tjera. Për arsye sigurie, mijëra banorë të zonës janë detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre.


“Erërat që frynin gjatë disa ditëve të fundit vetëm e transferonin zjarrin nga një kodër në kodër tjetër”.

“Jam mirë, si do që të jetë do të fillojmë prej fillimit. Do të jetë e vështirë, por do t’ia dal disi”, tha Xhenet Trall, qytetare e evakuuar nga Grinvill.

Situata më e keqe ishte në Grenvill, qytet me rreth 1.000 banorë, i cili të mërkurën ishte kapluar nga zjarri. Zëdhënësja e administratës së qytetit, Serena Bejker tha se zjarri ka përfshirë rreth tre të katërtat (3/4) e ndërtesave. Mbi 5.000 zjarrfikës japin maksimumin e tyre për ta shuar zjarrin.