Më 27 shtator, situata në Karabakun e Sipërm u përshkallëzua dhe luftimet filluan në territorin e diskutueshëm, duke vrarë të paktën 5,000 njerëz. Në fillim të luftimeve, si Azerbajxhani dhe Armenia shpallën gjendjen e jashtëzakonshme dhe shpallën mobilizim.
Më 10 nëntor, kryeministri i Armenisë dhe presidenti i Azerbajxhanit ranë dakord të ndërpresin të gjitha armiqësitë në Karabak. Armëpushimi “i plotë” u ndërmjetësua nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili njoftoi fillimin e armëpushimit në mesnatë, me kohën e Moskës.
Kryeministri armen Nikol Pashinjani, tha se pas më shumë se një muaj gjakderdhje, ai kishte nënshkruar një marrëveshje me Azerbajxhanin dhe Rusinë që ishte “e padëshirueshme e dhimbshme për të dhe për popullin armen”. Rusia konsiderohet si fuqi mbrojtëse e Armenisë. Menjëherë pasi u nënshkrua armëpushimi, në Armeni shpërthyen protesta të dhunshme në të cilat protestuesit akuzuan kryeministrin për tradhti dhe sulmuan dhe shkatërruan kabinetin e tij. Protesta më shumë ose më pak paqësore kundër marrëveshjes me Azerbajxhanin janë ende duke u zhvilluar.
Lufta e re në Karabakun e Sipërm përfundoi. Por nuk përfunduan vetëm luftimet. Status kuo-ja në Kaukazin e Jugut gjithashtu po ndryshon. Marrëveshja parashikon që Azerbajxhani të rimarrë kontrollin e pjesëve të mëdha të territorit të tij të mëparshëm, kryesisht të populluar me armenë dhe provincës gati 30-vjeçare të shkëputur të Karabakut të Sipërm, si dhe rretheve përreth.
“Presidenti i Azerbajxhanit ka provuar të jetë fitues. Por fitues janë gjithashtu edhe Turqia, e cila mbështet Bakunë dhe mbi të gjitha Rusia, e cila tani po stacionon trupat e saj paqeruajtëse në Karabakun e Sipërm. Të dy forcat kanë krijuar ndikimin e tyre në rajon. Humbësit janë Armenia dhe Republika e Karabakut të Sipërm ndërkombëtarisht e panjohur, e mbështetur nga Armenia. Por jo vetëm ata. Humbësi është kryesisht diplomacia. Për gati tre dekada, nën kujdesin e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), është kërkuar një zgjidhje. Pa sukses. “Konflikti i Karabakut të Sipërm që nga viti 1994 sapo është ngrirë,” komentojnë agjencitë botërore të lajmeve.
Bisedimet mbi një zgjidhje të Karabakut të Sipërm kanë vazhduar që nga viti 1992 brenda Grupit të Minskut të OSBE-së, të udhëhequr nga tre bashkë-kryesues – Rusia, Franca dhe SHBA.
Por konflikti nuk u ndal kurrë plotësisht.
Të dy vendet bënë një luftë të përgjakshme në këtë zonë në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990. Megjithëse ata shpallën një armëpushim, ata kurrë nuk arritën të bien dakord mbi një marrëveshje paqësore.
Karabaku është një pjesë integrale e Azerbajxhanit, por popullsia e tij është kryesisht armene. Kur Bashkimi Sovjetik u shemb në vitet 1980, Karabaku votoi për t’u bashkuar me Armeninë, duke shkaktuar një luftë që përfundoi në një armëpushim të vitit 1994.
Që nga ajo kohë, Karabaku i Sipërm ka mbetur pjesë e Azerbajxhanit por kontrollohet nga armenët separatistë etnikë të mbështetur nga qeveria armene. Negociatat gjatë dekadave të
ardhshme, të ndërmjetësuara nga forcat ndërkombëtare, kurrë nuk patën sukses në arritjen e një marrëveshje paqeje.
Armenia është kryesisht e krishterë, ndërsa Azerbajxhani i pasur me naftë është kryesisht me populate myslimane. Turqia mban lidhje të ngushta me Azerbajxhanin, ndërsa Rusia ka një aleancë me Armeninë – edhe pse ajo gjithashtu ka marrëdhënie të mira me Azerbajxhanin.
Kaukazi është një rajon malor strategjikisht i rëndësishëm në Evropën Juglindore. Për shekuj me radhë, forca të ndryshme në rajon – të krishterë dhe myslimanë – kanë luftuar për kontrollin e tij.
Armenia moderne dhe Azerbajxhani u bënë pjesë e Bashkimit Sovjetik kur u formua në vitet 1920. Karabaku ishte një zonë me një popullsi shumicë etnike armene, por sovjetikët u dhanë kontrollin e zonës autoriteteve të Azerbajxhanit.
Në dekadat që pasuan, armenët në Karabakun e Sipërm vazhdimisht kërkuan të viheshin nën sundimin armen. Por vetëm deri në shembjen e Bashkimit Sovjetik në fund të viteve 1980 parlamenti rajonal i Karabakut të Epërm votoi zyrtarisht për t’u bashkuar me Armeninë.
Azerbajxhani u përpoq të mbyste këtë lëvizje separatiste ndërsa Armenia e mbështeste atë. Kjo çoi në konflikte etnike dhe – pasi Armenia dhe Azerbajxhani shpallën pavarësinë nga Moska – në luftë.
Dhjetëra mijëra njerëz u vranë, rreth një milion u zhvendosën dhe kishte raporte të vazhdueshme për spastrim etnik dhe masakra nga të dyja palët.
Forcat armene morën kontrollin e Karabakut të Sipërm para se të shpallej një armëpushim i ndërmjetësuar nga Rusia në vitin 1994.
Pas marrëveshjes, Karabaku i Sipërm mbeti pjesë e Azerbajxhanit, por që atëherë është qeverisur kryesisht nga një republikë separatiste e vetëshpallur e drejtuar nga armenët etnikë dhe e mbështetur nga qeveria armene.
Është krijuar gjithashtu edhe Linja e Kontakti midis Karabakut të Sipërm, që ndan forcat armene dhe azerbajxhanase.
Që atëherë, bisedimet e paqes janë ndërmjetësuar nga Grupi i Minskut i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) – një organ i ngritur në vitin 1992 dhe i kryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA-ja. Por asnjë marrëveshje paqeje nuk është nënshkruar deri më tani.
Konflikti ndërlikohet edhe më tej nga gjeopolitika. Anëtarja e NATO-s Turqia ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Azerbajxhanit në vitin 1991.
Ish- presidenti i Azerbajxhanit Hejdar Aliev i përshkroi ata si “një komb në dy shtete”.
Të dy ndajnë kulturën dhe popullsinë turke dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka premtuar mbështetjen e vendit të tij për Azerbajxhanin.
Për më tepër, Turqia nuk ka marrëdhënie zyrtare me Armeninë. Turqia mbylli kufijtë e saj me Armeninë në vitin 1993 në mbështetje të Azerbajxhanit gjatë luftës me Karabakun e Sipërm.
Gjithashtu, Armenia ka marrëdhënie të mira me Rusinë. Ekziston një bazë ushtarake ruse në Armeni dhe të dy janë anëtarë të aleancës ushtarake të Organizatës për Marrëveshjen e Sigurisë Kolektive (OMSK).
Por Vladimir Putin gjithashtu ka marrëdhënie të mira me Azerbajxhanin dhe Moska ka kërkuar fund të armiqësive.
Kishte një revolucion paqësor në Armeni në vitin 2018 në të cilin u rrëzua Serzh Sargsjan pas 10 vjetësh në pushtet.
Udhëheqësi i protestave, Nikol Pashinjan, u bë kryeministër pas zgjedhjeve të lira në të njëjtin vit.
Pashiani u pajtua me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliev që tensionet duhet të përshkallëzohen dhe ata krijuan linjën e parë telefonike të nxehtë ushtarake midis dy vendeve.
Në vitin 2019, të dy vendet lëshuan një deklaratë ku thuhej se “duhet të merren masa konkrete në mënyrë që popullata e të dy vendeve të përgatitet për paqe”.
Deri më tani, megjithatë, asgjë nga këto nuk ka ndodhur.
Nuk është e qartë se cili vend ishte i pari që filloi dhunën e fundit, por tensionet janë ende të larta, duke pasur parasysh numrin e madh të viktimave nga të dy palët.
