Organizatat joqeveritare boshnjake në Maqedoni i dorëzuar sot Avokatit të Popullit iniciativën me dy kërkesa bazë për komunitetin e tyre. Boshnjakët kërkojnë avancimin e përdorimit të gjuhës së tyre. Avokati i Popullit Ixhet Memeti, tha se do të bëjë çdo gjë që ka në dorë ky institucion për të plotësuar kërkesat e tyre.
Iniciativa e dorëzuar sot tek Avokati i Popullit përmbante dy kërkesa. Bashkësia boshnjake kërkon që gjuha e tyre të përdoret sipas kushtetutës dhe ligjit në procesin arsimor dhe në Ministrinë E Punëve të Brendshme. Sipas tyre, kjo kërkesë vjen si rezultat i pakënaqësisë së popullatës boshnjake pasi, bazuar në ndryshimet kushtetuese, bashkësia etnike boshnjake njihet si element konstituiv dhe gëzon të gjitha të drejtat të cilat i kanë popujt e tjerë në Republikën e Maqedonisë.
“ Institucionet tona shpesh herë nuk i kushtojnë vëmendje nominimit të saktë të gjuhës, dhe e përdorin termin ‘boshnjaçki’ e që nuk është referenca e vërtetë për gjuhën tonë, domethënë kërkojmë që në institucionet shtetërore e veçanërisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kur jepen dokumentet personale, pasaporta, letërnjoftime, nga librat amë të lindjes, të kenë opsion që ta zgjedhin gjuhën ‘bosanski’, sepse ‘boshnjake’ është e pasaktë dhe nuk ka kurrfarë domethënie për boshnjakët në parim” tha Xhemil Bektoviç ,profesor doktor, koordinator i disa organizatave joqeveritare boshnjake
Kërkesa tjetër ka të bëjë me atë që para 5 vjetëve u hap një program eksperimental në gjuhën boshnjake, për nxënësit boshnjak. Sipas marrëveshjes, ai program duhej të zgjaste 3 vjet, ndërsa më pas gjuha të vendosej si gjuhë amtare e nxënësve. Tashmë kanë kaluar 5 vjet dhe kjo gjë ende nuk ka ndodhur. Ata thonë se presin që institucionet në Maqedoni të përshtasin të gjitha rregulloret dhe dokumentacionin për regjistrimin e popullatës, në veçanti për përkatësinë kombëtare dhe gjuhën.
Këto kërkesa, përveç se do t’i paraqiten Avokatit të popullit, do t’i paraqiten gjithashtu edhe Qeverisë së Maqedonisë, MPB, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ndërsa për aktivitetin e këtyre organizatave tyre do të njoftohen edhe OSBE dhe zyra e Unionit Evropian.
