Borxhi publik, 9.7 miliardë euro! Jankullovski: Kemi plan për ballafaqim

TË FUNDIT

Borxhi publik i shtetit në fund të vitit do të arrijë në 9.7 miliardë euro, ose 62,7% të Bruto Produktit Vendor, zbuloi zv/ministri i Financave, Nikollçe Jankullovski në emisionin “Biznes 21” në TV21. Kjo do të thotë se vetëm për tre muajt e fundit të vitit borxhi do të rritet me gati një miliard euro. BPV-ja e vlerësuar mbi të cilën është bërë projeksioni arrin në 15.5 miliardë euro.

Jankullovski theksoi se ka pasur devijime për disa arsye, duke përfshirë korrigjimet e pagave me kontrata kolektive, mbulimin e shumave të larta të obligimeve ligjore të papaguara, si dhe për shkak të obligimeve financiare të dakorduara më parë për Korridoret 8 dhe 10d për Behtel dhe Enka.

Ekspertët kanë paralajmëruar më parë se borxhi publik po rritet me hapa të mëdhenj dhe mund të kalojë 70% të BPV-së deri në fund të vitit. Ata u përgjigjën se po shkelet rregulli fiskal që borxhi të jetë nën 60% të BPV-së.

Ndryshe, borxhi publik i vendit para 20 viteve, në vitin 2004, ishte 1.7 miliardë euro. Në vitin 2014 rritet në rreth 4 miliardë dhe në vitin 2024 do të arrijë në 9.7 miliardë euro.